Niveli i sigurisë në shkollat i ulët, e nevojshme prania e sigurimit fizik
BKT
Lajme

Niveli i sigurisë në shkollat i ulët, e nevojshme prania e sigurimit fizik

Ardiana Hajzeri/ RTK-Radio

Që nga muaji janar e deri më tani në Policinë e Kosovës janë paraqitur 312 raste të dhunës në shkolla dhe në afërsi të tyre. Mungesa e  sigurimit fizik është njëri ndër faktorët që po shkakton pasiguri te nxënësit dhe drejtuesit e shkollave.

Se prania e sigurimit fizik është i nevojshëm në shkolla, e thotë për Radio Kosovën Fitore Zeneli, një nënë, e cila ka fëmijën e saj në një shkollë publike në Prishtinë.

“Nuk mendoj që siguria është në nivelin e duhur në shkolla. Prania e sigurimit fizik është i nevojshëm, pasi kjo është në të mirën e fëmijëve dhe gjithë shkollës”, tha ajo.

Edhe drejtoresha e Shkollës” Ismail Qemaili” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, shkollë e cila është e mbingarkuar më numër të madh të nxënësve, i tha Radio Kosovës se aktualisht kjo shkollë ka një person fizik i cili kontrollon hyrje-daljet, por kjo nuk është e mjaftueshme.  

“Ministria e Arsimit në bashkëpunim më drejtoritë komunale të Arsimit duhet të përcaktojë persona adekuatë të cilët e luajnë rolin e sigurimit. Shkolla jonë e ka përcaktuar një person fizik në kuadër të qarkores së Drejtorisë së Arsimit i cili i kontrollon hyrje-daljet, por kjo nuk është e mjaftueshme marrë parasysh edhe numrin e madh të nxënësve që ka kjo shkollë. Prandaj, angazhimi i sigurimit fizik në objekte shkollore është shumë i rëndësishëm dhe këtë duhet ta bëjë Ministria e Arsimit në bashkëpunim me DKA-të”, theksoi Krasniqi.

Në lidhje më këtë çështje Ministria e Arsimit, në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur së  gjendja në shkolla është stabile dhe se kanë zhvilluar modulin e incidenteve në shkolla.  

“Gjendja në shkolla është stabile. Si ministri kemi zhvilluar modulin e incidenteve në shkolla, modul ky i integruar në sistemin e menaxhimit të informatave në arsim. Pas protokollit, kemi hartuar udhëzuesin për zbatim dhe manualet didaktike se si tema e dhunës të trajtohet me efikasitet në procesin edukativo-arsimor. Krahas pakos së materialeve ligjore dhe didaktike, kemi mbajtur takime regjionale, takime me DKA, trajnime dhe pastaj sesione informative gati në të gjitha komunat, me drejtorë të të gjitha shkollave, ashtu që të familjarizohen me detyrat e përgjegjësitë që i kanë”, thekson MASHTI.

Edhe ekspertë të arsimit në vazhdimësi po vlerësojë se mospërkrahja dhe neglizhenca e institucioneve kanë ndikuar që siguria në shkolla të mbetet në nivel të ulët.

Në shkolla janë të pranishme dukuritë negative si posedimi i armëve, përdorimi i alkoolit, konsumimi i duhanit si dhe konsumimi i narkotikëve edhe pse në përmasa të ulëta.

Mungesa e sigurisë në shkolla i ka detyruar prindërit e disa shkollave në kryeqytet që të organizohen e të paguajnë vetë për sigurimin fizik.  


MË SHUME NGA Lajme