Buleshkaj: Qasje më pro-aktive e Prokurorisë në luftimin e korrupsionit
BKT
Lajme

Buleshkaj: Qasje më pro-aktive e Prokurorisë në luftimin e korrupsionit

M.Miftari/RTKlive

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka folur për luftën kundër korrupsionit, për numrin e kallëzimeve penale që kjo agjenci ka deponuar në institucionet e drejtësisë, si dhe për probleme të tjera që kjo agjenci po ballafqaohet.

Ai ka thënë se Kosova është në trendin pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, me ligjin e ri, Agjencionit i është dashur të krijojë metodologji e strategji të re të veprimit.

Buleshkaj theksoi se shumica e zyrtarëve kanë deklaruar pasurinë brenda afatit, teksa shtoi se janë duke bërë verifikimin e deklarimeve të tyre, por edhe zgjidhjet e konflikteve të interesit.

“Kemi paraqitur 3 kallëzime penale për konflikt interesi dhe kemi paraqitur më pak kallëzime penale se në vitet paraprake, diku rreth 80 kallëzime penale”, deklaroi Buleshkaj në “InfoPlus”, në RTK.

Por, Buleshkaj u shpreh i pakënaqur me numrin e lëndëve që kanë kaluar filtrin e Prokurorisë.

“Ndoshta duhet të jetë një qasje më pro-aktive nga ana e Prokurorisë në këtë aspekt”, deklaroi Buleshkaj.

Ai më tej tha se nuk ka dëm më të madh, sesa humbja e besimit te institucionet shtetërore, gjë që, sipas tij, vështirëson bashkëpunimin e qytetarëve me institucionet e shtetit.

Buleshkaj foli për strategjinë për parandalimin e korrupsionit, që, sipas tij, me ligjin e vet obligohet ta këshillojë Qeverinë në hartimin e kësaj strategjie, pastaj në zbatimin edhe monitorimin e zbatimit. Buleshkaj bëri të ditur se kjo strategji pritet të finalizohet shpejt.


MË SHUME NGA Lajme