Albulena Mehmeti zgjidhet nënkryetare e Bordit të RTK-së
BKT
Lajme

Albulena Mehmeti zgjidhet nënkryetare e Bordit të RTK-së

RTKlive

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) mbajti mbledhjen e fundit të kryesuar nga kryetari Besnik Boletini dhe zëvendëskryetarja Arta Berisha. Kjo e fundit gjatë takimit të sotëm ka dorëzuar dorëheqjen e saj nga roli i nënkryetares, ndërsa në vend të saj me shumicë votash është emëruar Albulena Mehmeti.

Sipas njoftimit për medie lëshuar nga Bordi, dorëheqja e Arta Berishës është bërë para mbarimit të mandatit të saj, duke i hapur rrugë emërimit të një zëvendëskryetari të ri. “Kjo me qëllim që Bordi si organi më i lartë drejtues i RTK-së të jetë funksional në kryerjen e detyrimeve karshi institucionit”, thuhet në njoftim.

“Në përputhje me dispozitat e përcaktuara në Ligjin e RTK-së, procesi zgjedhor për zëvendëskryetarin e ri u zhvillua nën udhëheqjen e kryetarit aktual. Kështu, Bordi i RTK-së tanimë do të vazhdojë punën nën udhëheqjen e nënkryetares së re, Albulena Mehmeti, e cila është zgjedhur me shumicë votash nga anëtarët e tjerë të Bordit”, thuhet në njoftim.

Mehmeti, siç thuhet më tej, sjell një përvojë të pasur dhe përkushtim në rolin e saj, duke treguar njohuri të misionit dhe vlerave të transmetuesit publik. E provuar në fushën e menaxhimit dhe financave, ajo është një zgjedhje e duhur për të vazhduar kontributin në suksesin e vazhdueshëm të RTK-së.

Gjatë takimit, bordi diskutoi gjerësisht edhe çështje të tjera të rëndësishme, me një fokus të veçantë në hartimin e planit të auditimit për vitin 2024 dhe formulimin e strategjisë së auditimit për tre vitet e ardhshme, bazuar në propozimet e Njësisë së Brendshme të Auditimit dhe Komitetit të Auditimit të Brendshëm.

Diskutimet nënvizuan përkushtimin e bordit për të siguruar transparencën, përgjegjshmërinë dhe menaxhiminefektiv në të gjitha operacionet e RTK-së.

“RTK mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për mbajtjen e standardeve më të larta të integritetit, profesionalizmit dhe shkëlqimit si media publike në Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit.


MË SHUME NGA Lajme