Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit
M.Sh/RTKlive
Në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), kryeministri Albin Kurti tha se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit. Ai me këtë rast shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë të organizuar nga YIHR.
“Gjithçka bëhet aq e vështirë, sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut, dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut”, deklaroi kryeministri Kurti.
Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdohet me diskutime të hapura, sidomos aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut.
Kurti përmendi disa kategori, siç janë pakicat etnike, komunitetin LGBTIQ+, të varfrit, të pashkolluarit, të paarsimuarit dhe ndaj atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo jetojnë me nevoja të veçanta.
“Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, tha në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti.























