KQZ: Kemi pranuar kërkesë për largimin e kryetarëve të komunave në veri
E. P. / RTK
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesën për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit.
Zëdhënësi, Valmir Elezi, ka konfirmuar se këtë kërkesë e kanë pranuar dje.
“Ashtu siç iu kemi njoftuar gjatë ditës së djeshme, në disa adresa zyrtare, kemi pranuar katër e-maile, të cilat kanë pasur të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”, ka thënë Elezi.
Tutje ai ka konfirmuar se janë në shqyrtim të kërkesës dhe se së shpejti do të ketë përgjigje për kërkesën.
“Mund t’iu konfirmoj se këto shkresa janë duke u shqyrtuar dhe është duke u përgatitur përgjigjja për to. Në një kohë sa më të shpejtë do t’iu dërgohet atyre personave apo qytetarëve dhe sigurisht se përgjigja do të bëhet edhe publike”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së.























