Haradinaj: Siguria, parametri i parë i shtetësisë|Video
M.Miftari/RTKlive
(Eplotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për situatën në vend, me theks të veçantë për sigurinë dhe për Asociacionin, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë, buxhetin, etj.
Lidhur me sigurinë në vend, ish-kryeministri Haradinaj, mes tjerash ka përmendur vrasjen e Liridonë Ademajt, ditë më parë në Prishtinë, i orkestruar nga burri i saj, por edhe për ngjarjet tjera që cenojnë sigurinë në vend, si, fjala vjen, vjedhjet në argjendarinë në Suharekë e gjetiu, ku për pasojë pati një polic të plagosur dhe një person vrarë.
Kreu i AAK-së, në "RTK Prime", tha se rendi i ligji kërkon një kujdes i vazhdueshëm, ngase sipas tij, i vetmi shpëtim na vjen nga institucionet e rendit dhe ligjit, ngase në kohë rekord arritën të zbulojnë kryesit e veprimeve të tilla.
“Institucionet e rendit dhe të ligjit na e kanë kthyer besimin tek ata, te shteti”, deklaroi Haradinaj, por, shtoi ai, mirë do të ishte të punohej në parandalimin e këtyre ngjarjeve.
I pari i AAK-së u shpreh kritik ndaj qeverisë së vendit në mosmbështetjen ndaj organeve të sigurisë.
“Ngjarja e 24 shtatorit dëshmoi se sa i rëndësishëm është investimi në rend dhe ligj, që janë parametra të parë, për të pasur pastaj ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë dhe çdo sektori tjetër”, deklaroi Haradinaj.
Ish-kryeministri Haradinaj, ka folur edhe për buxhetin, për ç’gjë ishte kritik ndaj Qeverisë Kurti, ngase, sikundër shpjegoi ai, kemi vetëm bartje të buxhetimit në vitin vijues, jo rritje të investimeve, jo rritje të buxhetit.
Qeveria Kurti, sipas Haradinajt nuk ka kryer asnjë projekt kapital për vendin.
Haradinaj për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së: Është gjykatë një-etnike
(E plotësuar) Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nga Dhoma e Specializuar e Kosovës.
Ai tha se nuk ka votuar formimin e kësaj gjykate, ndonëse nuk i kemi ikur dhe nuk i ikim asnjëherë drejtësisë.
"Por ajo që më ka shqetësuar është se, përpos që nuk është nën juridiksion tonë, problemi është se është gjykatë një -etnike, që po gjykohen vetëm shqiptarët", deklaroi Haradinaj.
Në këtë intervistë kreu i AAK-së është pyetur edhe për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me të cilin ka rregulluar raportet. Ai tha se shqiptarët duhet të flasin e të takohen sa më shumë dhe sipas tij në këtë kohë Rama ka dhënë kontribut të madh për Kosovën.
Haradinaj: Draft-statuti, shqetësues, duhet të shkojë në Kushtetuese

Bashkim Vishaj /RTK
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se draft-statuti për Asociacionin, të cilin e ka pranuar nga ndërmjetësit e BE-së, është shqetësues. Haradinaj kërkoi sqarime nga kryeministri Kurti se përse nuk ka propozuar Kosova një draft.
“I gjithë dokumenti është shqetësim, logjika e dokumentit është shqetësuese, janë disa pika që janë shumë domethënëse, siç është rasti i arbitrazhit me të cilin bije fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në 'RTK Prime'.
Pos tjerash ai deklaroi se edhe preambula është problem e cila sipas tij është e panevojshme dhe si e tillë duhet të hiqet përshirë edhe 1244-shin që është në të. Kreu i AAK-së tha se drafti duhet patjetër të dërgohet në Kushtetuese dhe gjyqtarët ta trajtojnë atë, në secilin nen, për të parë se ku ka shkelje kushtetuese.
Ish-kryeministri Haradinaj, ka qenë kritik për atë se pse dokumenti nuk u është dhënë nga institucionet e Kosovës por nga ndërmjetësit. Ai ka pyetur kryeministrin Kurti se pse ai nuk ka bërë një draft por ka pritur që një dokument i tillë të vije nga ndërmjetësit.
“Pas pranimit të planit franko-gjerman, Kosova do duhet ta propozonte një dokument, disa herë kanë ardhur amerikanët duke kërkuar nga Kosova që ta bëjë këtë hap, por kjo nuk ka ndodhur cuditërisht”, deklaroi Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se versioni që ka ardhur është i padiskutueshëm. Në këtë intervistë kreu i AAK-së është pyetur edhe për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me të cilin ka rregulluar raportet. Ai tha se shqiptarët duhet të flasin e të takohen sa më shumë dhe sipas tij në këtë kohë Rama ka dhënë kontribut të madh për Kosovën.























