Me nga dy vite burg dënohen të akuzuarit për sulmin ndaj Valon Sylës
A.Sejda/RTKlive
(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla.
Të akuzuari Themelorja i ka dënuar me nga dy vite burgim.
Sipas vendimit të gjykatës, të akuzuarve iu është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë shumën prej 200 €, ndërsa shumën prej 100 € ta paguajnë për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit.
Gjykata ka refuzuar kërkesën pasurore juridike të të dëmtuarit Valon Syla pasi që gjykata nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për vendosje të plotë apo të pjesshme të kërkesës pasurore juridike, andaj i dëmtuari nga arsyet e lartëcekura për realizimin e kërkesës pasurore - juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Të dënuarit janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse me datë 11.04.2023, rreth orës 23:00, në Prishtinë të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, kishin lënduar lehtë gazetarin Valon Syla, për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social "Facebook”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.























