Hodaj e Sulejmani zotohen për thellimin e bashkëpunimit policor
BKT
Lajme

Hodaj e Sulejmani zotohen për thellimin e bashkëpunimit policor

M.Miftari/RTKlive

Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Kushtrim Hodaj, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Mbikëqyrje Policore në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Florian Sulejmani. dhe zyrtarë të tjerë nga kjo agjenci, në vazhdën e bashkëpunimit të ndërsjellë të të dy agjencive homologe të mbikëqyrjes policore.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u nënshkrua ‘Raporti nga Inspektimi i Përbashkët’, i cili është realizuar nga strukturat inspektuese të të dyja agjencive, në fushën “Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e ‘Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar’ ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

Tutje, në komunikatë thuhet se inspektimi i përbashkët është realizuar duke u bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë “mbi forcimin e bashkëpunimit të Kontrollit të Brendshëm” (të datës 23.03.2015).

“Inspektimi i realizuar në tre Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar, të menaxhuara nga Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit, pasqyron nevojën e zbatimit më me korrektësi të Marrëveshjes së datës 29.12.2018 sa i përket respektimit të kritereve të parimit  “një ndalesë një kontroll”, pajisjen e PPKK-ve me logjistikën e nevojshme orientuese/informuese për udhëtarët, përmirësimin e infrastrukturës së kabinave të kontrollit, studimit të dinamikës së punës, plotësimit të strukturës organike, kalimit në kohë reale të të dhënave nga sistemet informative të të dyja policive, rritjen e aktivitetit parandalues të krimit ndërkufitar, rritjen e bashkëpunimit nëpërmjet kryerjes së analizave të përbashkëta të riskut dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta.

Përfaqësuesit e të dyja strukturave të mbikëqyrjes policore u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes policore, drejt zhvillimit të kapaciteteve profesionale të komponentëve operative dhe përfitimit nga shkëmbimi i praktikave të avancuara të të dyja agjencive (IPK/AMP)”, thuhet në fund të komunikatës.


MË SHUME NGA Lajme