Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër 53 personave për masakrën e Mejës
M.P / RTKlive
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera të Rekës së Keqe të Komunës së Gjakovës.
“Për këtë krim janë akuzuar pesëdhjetë e tre të pandehur prej të cilëve gjashtëmbëdhjetë ishin të pozicionuar në strukturat të rëndësishme ushtarake dhe policore të Serbisë. Të pandehurit me aktakuzë, akuzohen për vepër penale në bashkëkryerje, Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 pika 1.1, 1.2, 14, 1.6, 1.8, 1.9 nën paragrafi 1.4, 1.6, dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria.
Sipas komunikatës, në periudhën 27-29 prill të vitit 1999 ishte zhvilluar një operacion i përbashkët dhe mirë i organizuar i Ushtrisë Jugosllave dhe MPB-së, në të cilin morën pjesë edhe anëtarë të grupeve paramilitare serbe.
“Në atë operacion janë vrarë treqind e shtatëdhjetë civilë (370) që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes. Përveç vrasjeve, operacioni përfshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive të tyre dhe dërgimin e dhunshëm për në Shqipëri. Këto dëbime ishin të përfshira me keqtrajtime dhe konfiskime të dokumenteve personale të dëbuarve”, thuhet në komunikatë.























