Abdixhiku: Drafti i Asociacionit, autonomi që mbetet jashtë Kushtetueses
N.M. /RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për draft-statutin e Asociacionit, për të cilin tha se, tashmë, është pranuar.
“Tashmë po bëhen saktësisht një javë që kur LDK ka pranuar zyrtarisht nga ndërmjetësuesit draftin e statutit të Asociacionit. Pra saktësisht dy muaj pas prezantimit në Kosovë e mbi 40 ditë pasi i njëjti është pranuar nga Qeveria e Kosovës, ky draft na është dorëzuar si dokument në tërësi”, Abdixhiuk kritikoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në qasjen ndaj partive opozitare, në veçanti ndaj LDK-së, si parti shtet-formuese e bartëse e proceseve shtetërore, që kjo parti të jetë vetëm observuese e memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh, që sipas tij kjo nuk është mënyrë komunikimi.
Sipas tij, dorëzimi i dokumentit është i vonshëm dhe që LDK nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë proces.
Abdixhiku tha se mbyllja hermetike e qeverisë së Kosovës ka qenë shqetësuese për LDK-në.
Për dokumentin në fjalë do të kemi qëndrim politik. Kryesia e re LDK-së që do të dalë nga ky këshill do të marrë këtë vendim. Por si Kryetar i formacionit të parë dhe të vetëm pavarësisht, më lejoni që të shtroj para jush dhe para opinionit publik disa nga vështrimet e para mbi këtë dokument. Për ta thënë thjeshtë, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me rezolutën 1244 si paralele e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë e përfundon me Arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.”, ka deklaruar Abdixhiku.
Tutje, kreu i LDK-së ka thënë se mbetet e pakuptimtë se si Qeveria e Kosovës e ka pranuar një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me rezolutën 1244 dhe që Asociacionin e pranojnë si trup autonomie që mbetet jashtë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por në një sistem arbitrazhi.
Abdixhiku: Aktivizimi politik nuk kufizohet vetëm në salla
Lidhja Demokratike e Kosovës po mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Para mbledhjes, kryetari Lumir Abdixhiku mbajti një fjalë rasti, ku tha se strukturat që janë zgjedhur deri tani, kanë për obligim që ta shtrijnë dhe përhapin programin e LDK-së, në tërë Kosovën.
“LDK dëshmoi vlerat e saj identitare të organizimeve të brendshme si kulmim i demokracisë dhe mobilizimit të demokracisë. Ne sot bashkërisht bartim përgjegjësinë për shtrirjen e programit tonë gjithandej nëpër Kosovë”.
Abdixhiku tha se aktivizimi politik nuk kufizohet vetëm në salla, e as në beteja të brendshme. Kjo sipas tij bëhet tek njerëzit, bëhet në çdo qytet, çdo fshat në çdo anë.
Sipas tij ata e presin, punën e tyre. “Kemi punuar në momente të vështira, kur pak kush ka besuar në ringritjen tonë të shpejt, kemi punuar në momente të rënda kur shumë kush nuk e ka dashur konsolidimin tonë të shpejt”, tha pos tjerash ai.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar angazhim nga strukturat e partisë, degët e nëndegët, duke thënë se ata që nuk angazhohen dhe që s’punojnë nuk kanë vend në parti.























