Arrestohet një person për zjarrvënie të qëllimshme në Zubin Potok
N.M. /RTKlive
Një person është arrestuar nën dyshimin se ia vuri flakën qëllimisht një lokalit në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, të shtunën mbrëma, njoftoi Policia e Kosovës.
Bëhet e ditur se policia të dielën ka arrestuar të dyshuarin në orët e hershme të mëngjesit, duke e parandaluar atë nga përpjekjet për t’ia vënë zjarrin edhe shtëpisë së pronarit të lokalit të djegur në rrugën “Kolasinski Knjezeva” në Zubin Potok.
“Dogji një lokal në Zubin Potok, Policia e Kosovës parandalon djegien e shtëpisë dhe kap në flagrancë të dyshuarin për zjarrvënie, në shtëpi i gjendet një uniformë ushtarake, një radiolidhje dhe 22 aparate për prodhimin e kriptovalutave”, raporton PK.
Bëhet e ditur se zjarri fillimisht është lokalizuar nga zyrtarët policor që gjendeshin në sigurim të objektit komunal në Zubin Potok, së bashku me pronarin e lokalit, përderisa në vend të ngjarjes gjithashtu ka dal edhe njësia e Zjarrfikësve.
Përveç dëmeve materiale fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.
“Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes dyshohej se zjarri është shkaktuar qëllimshëm”, raporton Policia.























