Kurti takon gazetarët ukrainas e afganë: Kosova shtëpia e juaj e dytë
M.Sh/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti u premtoi gazetarëve ukrainas dhe afganë që janë në Kosovë se deri në çlirimin e vendeve të tyre, Kosova do të jetë shtëpia e dytë e tyre. Këtë deklaratë Kurti e bëri në rezidencën e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ku së bashku me përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medieve, takoi gazetarët nga Ukraina dhe Afganistani që po strehohen në Kosovë.
Kurti tha se prej fillimit të agresionit të Federatës Ruse mbi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, në Kosovë janë strehuar 18 gazetarë ukrainas përmes programit Journalist-in-Residence që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Nëpërmjet të njëjtin program (Journalist-in-Residence), Kosova, sipas Kurtit, ka pranuar edhe pesë gazetarë afganë pas krizës humanitare në Afganistan që u thellua në gusht të vitit 2021.
“Një ditë pas shënimit të 75-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, me ftesë të ambasadorit gjerman Jörn Rhode, në rezidencën e tij, dhe së bashku me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezoo biseduam me shumë prej gazetarëve rezidentë për të cilët shteti dhe shoqëria jonë po kujdeset - dhe atë jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për realizimin e të drejtës së garantuar për lirinë e shtypit e të mendimit sipas nenit 19 të Deklaratës Universale”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.
Mikpritja e vendit dhe popullit të Kosovës, sipas kryeministrit, është virtyt i çmueshëm që populli i Kosovës e ruan ndër breza.
“Duke uruar që vitin tjetër do të mund të kthehen të sigurt në vendet e tyre të origjinës, i sigurova që deri atëherë dhe përherë Kosova do të jetë shtëpia e tyre e dytë”, ka deklaruar Kurti.























