Krasniqi: Qeveria nuk u ndau asnjë cent komunave që udhëhiqen nga PDK
BKT
Lajme

Krasniqi: Qeveria nuk u ndau asnjë cent komunave që udhëhiqen nga PDK

F.Sertolli / RTKlive

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës rreth ndarjes buxhetore për investime kapitale për komunat e vendit, duke thënë se qeveria ka ndarë mjete buxhetore vetëm për komunat që udhëheq nga partia në pushtet.

Ai ka thënë se për komunat që udhëhiqen nga PDK-ja nuk është ndarë asnjë cent, ndërkaq Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale.

Krasniqi ka ftuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë.

“Derisa për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, qeveria ka ndarë më shumë se gjysmën e buxhetit për investime të reja kapitale për vitin 2024, për katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës - Ferizajn, Skenderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk është ndarë asnjë cent. Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ka thënë Krasniqi se për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti.

“Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë. Kultura politike në Kosovë ka nevojë të shtensionohet e të rritet bashkëpunimi, jo të instalohet kjo kulturë e hakmarrjes dhe diskriminimit. Kjo qasje e qeverisë kundër qytetarëve të komunave të cilat nuk i drejton partia në pushtet është shantazh i ulët politik”, tha Krasniqi.

Ai ka ftuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të qeverisë.

“Është e turpshme dhe e papranueshme të votohet për një buxhet të tillë”, tha Krasniqi.         


MË SHUME NGA Lajme