Prishtinasit të pakënaqur me orarin e kujdestarive në barnatore
Albulena Bytyqi/Radio Kosova
Qytetarët dhe farmacistët në Komunën e Prishtinës, janë shprehur të pakënaqur me orarin e kujdestarive në barnatoret e kryeqytetit. Ata për Radio Kosovën thanë se kërkojnë me shumë barnatore kujdestare gjatë natës. Ndërsa nga Drejtoria për Shëndetësi thonë se qëllimi është që të ketë shërbim 24 orë, e numri i barnatoreve kujdestare mund të rritet sipas kërkesës së farmacistëve dhe qytetarëve.
Shumë pronarë të barnatoreve, farmacistë dhe qytetarë nuk janë të kënaqur me orarin e ri te barnatoreve në kryeqytet. Komuna e Prishtinës përmes një rregulloreje vendosi që çdo javë, nga e hëna deri të shtunën, të kujdestarojnë pesë barnatore, ndërsa të dielën dhe gjatë festave dhjetë.
E kërkesat e qytetarëve dhe e farmacistëve janë që të punohet çdo ditë deri në mesnatë dhe të dielën të jenë më shumë barnatore kujdestare. Edhe qytetarët janë shprehur të shqetësuar më orarin e kujdestarive për barnatore. Ata thanë se kanë problem t’i gjejnë barnatoret kujdestare gjatë natës, teksa apelojnë të ketë më shumë barnatore kujdestare gjatë natës.
“Shumë keq me orarin e kujdestarive. Për sy të ballit jam habitur me këtë vendim. Tri- katër barnatore në krejt Prishtinën?! Pak janë. E gjithë kjo popullatë e barnat iu duhen barnat qytetarëve siç më duhen fillimisht mua barnat e pastaj të tjerëve. Kisha apeluar me lanë ma shumë barnatore ne kujdestari jo kaq pak. Jam i befasuar me kufizimin e orarit të barnatoreve kur e dinë me ç’farë sëmundje po ballafaqohen qytetarët e kanë shumë nevoja për terapi gjatë natës. Për mua, është një vendim absurd”, tha një qytetar.
Por njëra nga farmacistët, e cila deshi të mbetet anonime, tha për Radio Kosovën se nuk janë të kënaqur si farmacistë me orarin e kujdestarive e as me kushtet në të cilat punojnë ata. Farmacistja tha se me një numër kaq të vogël të barnatoreve kujdestare, është problematike të mbulohen të gjitha nevojat për pacientë.
“Orari i kujdestarive s’është i përshtatshëm, natën janë shumë pak barnatore ta mbulojnë kryeqytetin me gjithë këtë popullsi kaq të mbingarkuar. Është shumë pak. Madje disa barnatore duhet t’i plotësojnë kushtet për të mbajtur kujdestari e të ketë sportelin për siguri. Sepse natën nuk mbahet dera hapur sikurse ditën, natën mund të ndodhë gjithçka për siguri duhet nëse ka sportelin është siguri që mos të ketë ndonjë incident. Dhe në ndërrimin e natës duhet të shtohen më shumë barnatore ne kryeqytet se këto janë shumë pak, dhe duhet shtuar sigurinë për staf për çdo barnatore që ka pranuar kujdestari”, theksoi farmacistja.
Ndërsa drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë për Radio Kosovën se ky orar do të jetë një orar fleksibil, dhe nëse farmacistët kërkojnë që ky orar të ndryshohet, ne do ta shqyrtojmë. “Por më rëndësi që do të këtë barnatore që do të kujdestarojnë natën, ka thënë Sadiku.
Ndërsa të pakënaqur me kujdestaritë rreth 30 barnatore të kryeqytetit kanë protestuar ditë me parë, duke kërkuar ndryshim të rregullores për orarin e kujdestarisë. Kërkesat e tyre janë që të punohet deri në mesnatë e të dielën të jenë 50 barnatore kujdestare, jo 10 sa i parasheh rregullorja.























