Anulohen seancat për sivjet për rastin e ish-krerëve të UÇK-së
SH.Ç/RTKlive
Pas lajmit për vdekjen e avokatit Andreë Strong, mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, anulohen seancat e parapara për sivjet.
Trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith ka vendosur t'i anulojë të gjitha seancat e parapara për sivjet në rastin për ish-krerët e UÇK-së.
Vendimi për anulimin e seancave ka ardhur pas kërkesës së avokatit Ben Emmerson, mbrojtës i Veselit.
Kjo përfshin shqyrtimet gjyqësore të planifikuara për të martën dhe të mërkurën.
Avokati Andrew Strong, i cili ishte pjesë e mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit Kadri Veslit në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe i ish-kryeministrit Ramush Haradinjat, ka ndërruar jetë të hënën pasditë. Ky lajm është pritur me pikëllim në Kosovë, pasi avokati Strong ishte i lidhur ngushte me luftën e UÇK-së dhe me shqiptarët dhe fliste bukur gjuhen shqipe.
Për humbjen e avokatit Strong, ka shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andrew Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi. Ai i’u bashkëngjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë. Ngushëllime familjes dhe miqve! Trashëgimia yt do të kujtohet Andy. U prehsh në paqe”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Po ashtu, për ndarjen nga jeta të Strong-ut, janë shprehur të pikëlluar edhe nga ekipi i Fondacionit për Mbrojtjen e Kadri Veselit.
”Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njeriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën...Faleminderit për të gjitha, vëlla!”, shkruan Avni Bytyçi i PDK-së.























