Qeveria synon kthimin e 60 familjeve të komuniteteve në Ferizaj e Gjilan
M.P. / RTKlive
Komuna e Ferizajt dhe ajo e Gjilanit po shihen si hapësira me potencial për ndërtimin e banesave kolektive për 60 familje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të kthyera nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në Kosovë.
Në Konferencës e Donatorëve është potencuar se Qeveria për këtë projekt mund t’i ndaj deri në 100.000 euro përmes Ministrisë për Kthim dhe Komunitete. Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre është përgjegjësi shtetërore e ndërkombëtare.
“Ka fëmijë dhe prind të cilët i kalojnë netët duke fjetur në një fushë. Jam shumë falënderues për humanitetin e agjencive që kanë ndihmuar në ndryshimin e këtij fakti të thjeshtë, në kohën kur po tentojmë të gjejmë zgjedhje të qëndrueshme”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se strehimi i “familjes më të cenueshme” të Kosovës është prioritet i Qeverisë.
“Këtë vit kemi ndarë financim për më shumë se 380 familje nga komunitetet jo shumicë, që do të përfitojnë nga banimi i përmirësuar, duke përfshirë familjet që kanë marrë materiale ndërtimore si dhe financim për shtëpitë e reja nga Ministria për Komunitete dhe Kthime”, ka deklaruar kryeministri.
Ministri për Komunitete dhe Kthime, Nenad Rashiq, ka thënë se kthimi i tyre dhe sigurimi i vendbanimit është veç gjysma e punës.
“Kthimi nuk është vetëm ndërtimi i shtëpisë, fuqimisht besoj që kjo s’është as gjysma e punës, duhet t’i integrojmë në shoqëri, në mënyrë që ata të ndjehen taman si në shtëpi. Buxhetin e kemi të planifikuar, ndoshta nuk mund të ofrojmë ndonjë shumë aq të madhe, në këtë rast për ndonjë ide që mund të kemi për Ferizajn e Gjilanin do të mund të ofronim 100.000 euro, por po them, kjo s’është vetëm shifër, i kemi kapacitetet si minsitri përmes projekteve ekzistuese”, ka thënë Rashiq.
Ndërkaq kritika për mënyrën e përzgjedhjes së vendbanimit të tyre ka pasur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Jam skeptik për projektin për shkak se kemi një shembull jo shumë të mirë në fshatin Plementinë të komunës së Obiliqit, ku janë ndërtuar dy ndërtesa kolektive. Në dhjetë vjetët e fundit çdo vit na vijnë lajme jo të mira nga kjo pjesë sepse nuk është e përshtatshme për kushtet e jetës. E dyta është ta gjejmë një zgjedhje që mos t’i lëmë vetëm pjesëtarët e komuniteteve sepse jam i sigurtë që në Gjilan e në Ferizaj janë edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera që iu duhen banim, përndryshe do ta përsërim situatën e Obiliqit”, ka deklaruar Krasniqi.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, ka potencuar dy elemente të cilat duhet të jenë stabile gjatë këtij projekti.
“Jam i ndjeshëm për anën pragmatike të këtij projekti, të sigurohem që ka toka dhe të holla të mjaftueshme për të ndërtuar banimin që është i përshtatshëm. Janë të gjitha sfida për Qeverinë, komunat dhe donatorët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Abott.























