Themelorja fton Millan Jovanoviqin, ish-polic serb, të paraqitet në gjykatë
M.Sh/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës i ka bërë thirrje një qytetari serb nga komuna e Ferizajt, ish-polic i Serbisë, që të paraqitet në gjykatë, pasi akuzohet për krime lufte në bashkëkryerje edhe me disa persona të tjerë.
“Ftohet i akuzuari Millan Jovanoviq, nga i ati Stojan, i lindur në Ferizaj, ku edhe ka jetuar, tani me vendbanim të panjohur, me nacionalitet serb, ish-polic në Stacionin policor në Ferizaj, me numër personal 0407976964759 i lëshuar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Ferizaj, të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më datës 21.02.2024, e mërkurë, në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti Special”, thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, i kërkuari dyshohet për çështjen penale të proceduar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.98/2017 të dt.27.11.2023, për veprën penale në bashkëkryerje me persona tjerë të pa njohur, të uniformuar dhe të armatosur, “Krime Lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22, të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi l nënparagrafi 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Konform nenit 303 par.8 të KPPRK-së gjykata i bënë thirrje të akuzuarit Millan Jovanoviq, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar më datë dhe në kohë si më lartë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga gjykata.
Konform nenit 303 paragrafi 8 të KPPRK-së, gjykata i bënë thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Millan Jovanoviq, që t’ia komunikojë atë informacion policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të prezencës së akuzuarit Millan Jovanoviq në këtë çështje juridiko penale.























