Ankohen për diskriminim për investimet kapitale|VIDEO
Driton Ramadani/RTK
Shumë komuna të Kosovës janë të pakënaqura me ndarjet buxhetore për investime kapitale që ka bërë Qeveria për vitin 2024.
Gjatë ditës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se selektimi i komunave nga ana e Qeverisë, është diskriminim i egër dhe i papranueshëm.
Reagime pati nga kryetarët e Ferizajt, Kaçanikut, Skenderajt e Fushë-Kosovës. Në një raport të publikuar nga Instituti GAP, thuhet se 22 komuna nuk janë të kënaqura me ndarjet buxhetore të Qeverisë.
“Është viti i katërt që nuk ndahet asnjë cent për Kaçanikun nga Qeveria”. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, gjatë vizitës që i ka bërë komunës së Kaçanikut, derisa ka parë nga afër projektet që po zhvillohen në këtë komunë.
“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga Qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por Qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve” , tha Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike.
Rreth diskriminimit në buxhet kanë reaguar edhe dy kryetarë të që udhëhiqen nga PDK, Ferizaj dhe Skenderaj.
“Investime nga niveli qendror, është viti i tretë i kësaj qeverisje që nuk kemi. Siç e kemi parë, edhe në vitin e katër të qeverisjes, Komuna e Kaçanikut prapë është lënë anash. Një qeverisje qendrore katër vjeçare që për qytetarët e Kaçanikut ka menduar zero investime”, tha Besim Ilazi, kryetari i Komunës së Kaçanikut
“Ajo që mund të shihni në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe në projekt buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 në kuadër të projekteve të Ferizajn është gjithçka nga e kaluara gjithçka nga projektet që nisur ose që është dashur të nisin por që kanë qenë pjesë e kodeve buxhetore në të kaluarën. Në kuadër të projekteve të reja Ferizaj tash nuk e ka asnjë projekt”, tha Agim Aliu, kryetar i Ferizajt.
Edhe Fadil Nura, kryetar i Skenderajt, tha kjo është qasje jo e drejtë, e ndoshta edhe antihumane, raciste, e padrejte dhe e pajustifikueshme".
Edhe Komuna e Fushë Kosovës nuk do të përfitojë asnjë projekt nga Qeveria për vitin 2024. Në reagimin e tyre thuhet se Qeveria po bën segregacion duke këtë komunë pa asnjë investim kapital.
Sipas tyre, kjo qasje e qeverisë është e paligjshme, diskriminuese dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Por, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që vjen nga komuna e Ferizajt i mohon këto pretendime.
“Për çka se ka një mori projektesh që vazhdojnë të financohen nga niveli qendror specifikishët nga grandi qeveritar ku janë hiq më pak se 8 milion e 265 mijë euro projekte në vazhdimësi që përkrahen nga niveli qendror. Gjithashtu nga ministrit të ndryshme të Ministrisë përkrahen edhe një vlerë prej 8 milion euro projekte të ndryshme që fillojnë ose që përfundojnë në vitin ardhshëm 2024 kështu që nuk qëndrojnë këto”, tha për RTK Enver Haliti, deputet i LVV-së.
Sipas Institutit GAP, 21.9 milionë euro të ndara nga qeveria për investime të reja kapitale për vitin 2024, të destinuara për komunat, janë ndarë në mënyrë të pabarabartë. Në këtë kuptim GAP thotë se gjysma e këtij buxheti prej 13 milionë eurosh janë ndarë për katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja, Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja.























