Koci: Arbitrazhi në draft statut problem serioz
F.Sertolli / RTKlive
Analisti Melazim Koci ka thënë se interpretimi që është duke u bërë rreth draftit të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, rreziku për të cilin flasin ose ekzagjerohet ose minimizohet.
Në emisionin ‘RTK Prime’, Koci ka thënë se janë dy çështje kryesore, sipas tij, që janë për tu debatuar.
“Njëra është që është ekzagjeruar çështja e Rezolutës 1244, ajo është në fuqi. Dhe e dyta dokumenti i draft-statutit është i 27 vendeve të BE-së, dhe nga kjo nuk do të votonin 5 vendet mosnjohëse të Kosovës nëse nuk do të figuronte rezoluta 1244. Përfundimisht ky aspekt është ekzagjeruar dhe në momentin që hiqet nga OKB-ja kjo rezolutë nuk shihet më”, ka thënë Koci.
Ai ka thënë se problem kyç i këtij dokumenti është arbitrazhi. “Pra arbitrazhi mendoj që është problem shumë serioz, sepse i mbivendoset sistemit politik të Kosovës, sepse nuk është Gjykata Kushtetuese, ajo që do të ndërhynte në rastet kontestuese ndërmjet Asociacionit dhe pushtetit qendror por arbitrazhi”, tha Koci.
Ai tha se në këtë arbitrazh do të jetë një përfaqësues i serbëve, një i pushteti qendror që është shqiptar dhe një tjetër që do të jetë evropian.
“Pra arbitrazhi do të vendos për çdo çështje kontestuese dhe çështja aty përfundon, sepse gjykata kushtetuese nuk ka mundësi të ndërhyrjes, dhe praktikisht ky është problemi kryesor i këtij dokumenti”, tha Koci.
Ai ka thënë se në këtë fazë kushtetuesja mund të ndërhyj por në fazën e mëvonshme, nëse miratohet kështu do të jetë arbitrazhi ai i cili do të vendos.
“Kushtetuesja aktualisht mund të ndërhyjë në draft statut, mirëpo nëse do të kalonte ashtu sikur është tash, atëherë në fazën e më vonshme nuk do të ketë qasje Gjykata Kushtetuese sepse për çështjet kontestuese do të vendos arbitrazhi”, ka thënë Koci.
“Arbitrazhi përfundimisht i mbivendoset sistemit politik të Kosovës, dhe praktikisht ajo pjesë e Kosovës, gati shpallet protektorat, dhe pa kompetenca të ndërhyrjes nga institucionet qendrore të Kosovës”, tha Koci.























