Qeveria ndan nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët|VIDEO
BKT
Foto/ Visar Shatrolli/ RTK
Lajme

Qeveria ndan nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët|VIDEO

V.Thaçi & A.Bela/RTKlive

(E plotësuar) Qeveria në mbledhjen e 178-të të saj ka votuar për subvencionimin e fëmijëve me nga 100 euro për këtë vit dhe po ashtu ndarjen e një shtese njëherëshe prej 100 eurove për pensionistët.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemave aktualisht do të përfitojnë nga 100 euro gjatë ditëve në vijim. 

"Prindërit nuk kanë nevojë për aplikim, pasi mjetet do të kalojnë në xhirollogarinë e tyre", ka thekuar ai.

Ministri ka thënë se pensionistët shtesën prej 100 euro do ta marrin gjatë javës në vijim, pasi pensioni i rregullt del të premten dhe siç thotë ai, e kanë pasur të pamundur që shtesën ta bashkëngjesin me pensionin e rregullt.

Nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit, secili fëmijë dhe pensionistë do të përfitojë nga 100 euro si mbështetje.

Kryeministri Kurti, tha se këtë vit nuk janë harruar as pensionistët dhe se do të ketë sot një vendim tjetër.

“Për të gjithë pensionmarrësit këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha ai.

Ndër vendimet tjera që do të mirren sot Kurti deklaroi se do të ndahen mjete shtesë për buxhetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, mjetet shtesë janë në vlerë prej dyzet milionë euro.

Kurti: Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA|VIDEO

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në mbledhjen e qeverisë ka folur për rangimin e Kosovës në testin PISA.

“Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe nuk do të mund të rregullohen përnjëherë e shpejt. Mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë e garantojnë që nxënësit po mësojnë e dinë”, tha  Kurti. Ai ka thënë se shkollimi është lidhur me arsimin dual, raporton RTKlive.

Kurti tha se si qeveri e re e një vendi të ri dhe me popullatë të re janë të përkushtuar për rininë.

Tutje tha se të hënën u bë e ditur se se Kosova është anëtarësuar në organizatën ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore (EYCA), ku të rinjtë e Kosovës do të kenë qasje në mbi 60,000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë.

Kurti po ashtu tha se sivjet kanë vendosur se për të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro.

“Planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatimin edhe deklarimin e të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje, për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë”, tha Kurti.

Qeveria e ka miruatuar një vendim për themelimin e Mekanizmit të Parlajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky mekanizëm do t’i monitorojë lëvizjet e migrimit pas liberalizimit të vizave.

"Ky mekanizëm ndërinstitucional ka për qëllim të monitorojë trendet e lëvizjeve të migrimit pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian, të mbledh dhe të analizojë të dhëna lidhur me lëvizjet e shtetasve të Republikës së Kosovës në shtetet e zonës Schengen, si dhe të rekomandojë ndërmarrjen e masave për institucionet relevante me qëllim të menaxhimit të suksesshëm të procesit”, tha Kurti.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se ky mekanizëm themelohet me një përbërje ndërinstitucionale.


MË SHUME NGA Lajme