RTK bën thirrje publike për filma në kuadër të Maratonës së Filmit Kosovar
BKT
Lajme

RTK bën thirrje publike për filma në kuadër të Maratonës së Filmit Kosovar

B. H./RTKlive

Radiotelevizioni i Kosovës bën thirrje publike për blerjen e të drejtave transmetuese televizive për filmat e metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga produksionet e pavarura vendore.

Një gjë e tillë është bërë në kuadër të nenit 12, paragrafi 4, të Ligjit nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës dhe nenit 2 dhe 3 të Rregullores për procedurat dhe kriteret në përzgjedhjen e përmbajtjeve audiovizuele të producentëve të pavarur.

Projekti "Maratona e Filmit Kosovar" ka për qëllim plotësimin e kërkesave të audiencës gjatë netëve festive të Programit Festiv të Vitit të Ri 2024 në RTK. Në këtë kontekst, prodhuesit vendor dhe bashkëprodhuesit me ato të huaja ftohen të aplikojnë me një apo më shumë filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër.

Vlera e përgjithshme e paraparë për blerjen e filmave të përzgjedhur është 20,000.00 (njëzet mijë) euro. RTK ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë filmat për të qenë të përzgjedhur, duke përfshirë cilësinë e skenarit, përmbajtjen, origjinalitetin e ideve, interesin publik, çmimin, mënyrën dhe kushtet e pagesës, si dhe referencat e aktorëve, regjisorëve, kameramanëve dhe skenaristëve.

Për të aplikuar në këtë konkurs, producentët duhet të dorëzojnë një seri dokumentesh, përfshirë formularin e aplikimit për prodhimin e pavarur audiovizual, lejen e produksionit nga QKK, certifikatën e biznesit dhe numrin fiskal, si dhe deklaratat me shkrim që përcaktojnë detyrimet e tyre në lidhje me të drejtat e autorit dhe të tjera të lidhura me filmat.

Lidhur me të drejtat e autorit, RTK sqaron se për prodhimin e pavarur fitues, transmetuesi publik do të zotërojë të gjitha të drejtat për transmetimin televiziv të filmave në kanalet e saj transmetuese televizive, transmetimin premierë dhe ritransmetime sipas marrëveshjes.

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë dokumentet e aplikimit nëpërmjet postës elektronike në adresën [email protected]. Aplikimi është i hapur deri më 17.12.2023, ora 23:59.

Për më shumë informacione dhe për të shkarkuar formularin e aplikimit, vizitoni faqen zyrtare të RTK.


MË SHUME NGA Lajme