Von der Leyen: Kosova e Serbia kanë bërë hapa përpara
Gjeraqina Tuhina / RTK
Në fund të samitit në mes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është miratuar deklarata më anë të së cilës kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të bëjnë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
Ishte ky edhe një takim ku u konfirmua se rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon nëpërmjet të dialogut.
"Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është rruga përpara dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet. Unë mirëpres uljen e tensioneve në veri të Kosovës në veçanti marrëveshjet për energjinë, çështjen e targave si për zgjedhje të parakohshme komunale”, ka deklaruar Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se po punohet me Bashkimin Evropian në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë. Ajo paralajmëroi për rrezikun se Serbia planifikon sulme te reja kundër Kosovës.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor ishte edhe një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet e BE-së.
Vendet e rajonit u ftuan që t'i zgjidhin kontestet bilatearle, të rrënjosura në të kaluarën.
Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit. Që nga viti 2020 këto samite janë të rregulta dhe mbahen një herë në vit.























