Nasim Haradinaj arrin në Gllogjan
M.Sh/RTKLive
(E plotësuar) Ish-luftëtari i UÇK-së dhe ish-nëkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili sot u lirua nga Gjykata Speciale në Hagë, ka arritur në vendlindjen e tij në Gllogjan.
Korrospodenti i RTK-së, Islam Haxhiu ka dërguar disa foto nga shtëpia e Haradinajt, ku ai shihet në mesin e bashkëluftëtarëve dhe familjarëve të tij.
Vendimi për lirimin e Haradinajt është marrë më 12 dhjetor nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, por është bërë publik sot.
Lirimi i Nasim Haradinajt është bërë me disa kushte, e të cilat janë:
-garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;
-të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;
-të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;
-Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;
-të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;
- të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;
- të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në;
- të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);
- të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;
-të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

Lirohet nga Specialja Nasim Haradinaj
Gjykata Speciale ka liruar nga burgu ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetarin e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj. Lirimi i tij është bërë me vendim të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, njofton Gjykata Speciale.
“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”, thuhet në njoftim.
Për lirimin e tij ka shkruar edhe nënkryetari i veteranëve Faton Klinaku.
“Pas një hidhërimi në rastin e Calit, vjen një lajm gëzimi. Sapo mbërriu në Gjakovë shoku Nasim Haradinaj”, ka shkruar Klinaku.























