Haradinaj kërkon nga kryeministri tërheqjen e projektbuxhetit
BKT
Lajme

Haradinaj kërkon nga kryeministri tërheqjen e projektbuxhetit

B. H. / RTKlive

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar skandaloz buxhetin e propozuar për vitin 2024. Ai ka thënë se kryeministri Kurti me këtë projektbuxhet  ka diskriminuar komunat të cilat nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Në Kuvendin e Kosovës është nxjerrë për miratim buxheti më skandaloz që ka pasur Kosova ndonjëherë. Diskriminimi që u ka bërë Albin Kurti komunave që nuk janë nën qeverisjen e partisë së tij, nuk ka ndodhur as në kohën e Rankoviqit. Me këtë buxhet Albin Kurti i ka shpallë luftë të hapur qytetarëve të këtij vendi, duke ja u pakësuar edhe bukën”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Tutje kryetari i AAK-së Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta tërheqë buxhetin sa nuk ka filluar padëgjueshmëria qytetare.

“Kryeministër, tërhiqe këtë buxhet sa nuk je përballur me padëgjueshmëri qytetare. Nëse nuk e tërheq këtë buxhet, u sugjeroj qytetarëve të komunave të dëmtuara, të të shpallin ‘nongrata’!”, ka shtuar tutje  Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme