Kurti mbështet koalicionin rreth Kamberit: Kanë integritet kombëtar
M.Sh/RTKlive
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ishte i ftuar në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit në Serbi. Kurti në këtë tubi i dha mbështetje këtij koalicioni, për të cilat tha se bartë në vete njerëz me integritete politik e patriotik.
Duke folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë, Kurti tha “njerëzit që bartin listën shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë”.
Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje, tha kryeministri, është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, “mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë”.
Për Shaip Kamberi tha se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit.
Ai i ftoi të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin atë dhe listën e përbashkët për t’iu kundërvënë regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, dhe për t’i dale në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje.
“Pesë parti pra janë bashkuar duke mbledhur e bashkuar kështu gjithë votuesit shqiptarë në Luginë për ta nxjerrë fitues koalicionin me numrin 13, koalicionin me bartës liste Shaip Kamberin, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ky koalicion me figura që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë, përveç Shaip Kamberit, edhe Ragmi Mustafa, Shqiprim Musliu, Naser Haziri dhe Armend Aliu ka gjithë mbështetjen që i duhet për t’iu kundërvënë regjimit autoritar e antishqiptar të Vuçiqit në Serbi, në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje”, tha Kurti.























