Kuvendi shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Kuvendi shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të KPK-së

A.B. & M.M./RTKlive

(E plotësuar) Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë votuar në parim një mori ligjesh, derisa disa ligje, në mungesë kuorumi kanë mbetur të votohen në seancën e radhës.

Kësisoj nga pikat e papërfunduara nga Seanca Plenare, e mbajtur më 23 dhe 30 nëntor 2023, deputetët kanë shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.  Për shkarkimin e tij votuan pro 62 deputetë, derisa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Me shumicë votash në parim janë miratuar Projektligji për vlerësimin strategjik mjedisor; Projektligji për performancën energjetike të ndërtesave dhe Projektligjit për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi.

Me 69 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratoi propozimet e grupeve parlamentare për anëtarët në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

Kurse Projektligji për tekstet shkollore, në mungesë të kuorumit nuk ka marrë votat e mjaftueshme për miratim dhe rrjedhimisht mbetet në seancën e radhës për votim;

Edhe Ligji për verërat, në mungesë të kuorumit, nuk u votua;

Gjithashtu votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në mungesë të kuorumit mbetet në seancën e radhës për votim;

Po kështu edhe shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, nuk mori votat e mjaftueshme për miratim dhe ka ngelur për seancën  radhës;

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Medieve, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, gjithashtu mbeti për seancën e radhës, për shkak të mosprezencës edhe të deputetëve të opozitës.

Nuk kalon buxheti për Komisionin hetimor për dhunën në familje

(E plotësuar) Në vazhdimi të seancës së Kuvendit të Kosovës, nuk ka kaluar buxheti për Komisionin hetimor parlamentar për dhunën në familje.

Deputetët, me 59 vota kundër, asnjë për dhe me dy vota të abstenuar, nuk e kanë kaluar pikën e rendit të ditës në të cilën parashihej ndarja e buxhetit për Komisionin hetimor parlamentar për dhunën në familje, që rrjedhimisht i përfundon mandati i tij si komision.

Vazhdon seanca me debatin për Komisionin hetimor për dhunën në familje

(E plotësuar) Seanca e Kuvendit të Kosovës  ka nisur me trajtimin e aktivitetit të Komisionit hetimor për dhunën në familje dhe dhunën seksuale.

Në debat u pa qartë se ky komision nuk ka pasur kryesues, e që ishte deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytytqi. Mirëpo në vazhdim pati paqartësi nëse do të duhej të rithemelohej sërish ky komision apo të vazhdohej me punën edhe për gjashtë muaj të ardhshëm. Në këtë pikë pati deklaratë nga deputeti i LVV-së Alban Bajrami, i cili arsyetoi aktivitetin e këtij komisioni gjatë këtyre gjashtë muajve të shkuar.

Debati u ashpërsua në paqartësinë se mos bëhet e mundur keqpërdorimi i detyrës së komisionit në fjalë në mbikëqyrje dhe futjen e duarve të pushtetit në drejtësi. Partitë opozitare kishin dyshimet e tyre në këtë çështje, ndërsa deputetët e shumicës parlamentare këmbëngulnin në idenë se ky komision do të bënte të mundur hetimin e hallkave të dështimit të drejtësisë, qoftë në prokurori, qoftë në gjyqësi a gjetkë, në mospërmbushjen e kërkesave në ofrimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave ndaj dhunës seksuale e rrjedhimisht në parandalimin e vrasjeve të tyre.

Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar) Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në rend dite janë disa projektligje dhe vendime. Ndër të cilat janë edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovë etj.

Sot do të mblidhet Kuvendi i Kosovës. Në rend dite të seancës së sotme janë pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 3 dhe 9 nëntor 2023 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 dhe 30 nëntor 2023 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, raporton RTKlive. Po ashtu në rend dite janë edhe propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,

zjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 30 nëntor 2023 janë: Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-245 për Artin dhe Kulturën, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendror të Republikës së Kosovës, për vitin 2022.


MË SHUME NGA Lajme