Alpinistët ‘superheronj’ gëzuan me dhurata fëmijët në pediatri|Video
Valjeta Shala / RTK
50 deri në 60 raste të reja me kancer tek fëmijët regjistrohen afërsisht brenda vitit në Kosovë. Shumë fëmijë me sëmundje të rënda, trajtimet i marrin në Klinikën e Pediatrisë.
Ata sot patën disa vizitorë të veçantë. Alpinistët e maskuar si superheronj u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Klinikës duke u shpërndarë dhurata.
“Superheronjtë” e dashur, fëmijët e prekur me kancer por edhe fëmijë të tjerë, i takuan nga afër në këtë fundvit.
Kjo nuk ishe e vetmja dhuratë për ta. Në oborrin e Klinikës së Pediatrisë kishte edhe shumë të tjera.
Kjo falë aktivitetit ku Klubi Alpin Prishtina dhe organizata Care for Kosovo Kids, që organizuan ngjarjen ku alpinistët e maskuar si superheronjë, u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Pediatrisë..
“Është viti i katërt që organizohet .Qëllimi është ngritja e fondeve dhe ngritjen e vetëdijesimit për fëmijët të diagnostifikuar me kancer”, thotë Mrika Karaqi nga Care for Kosovo Kids
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, tha se këto aktivitete ndihmojnë edhe në aspektin shpirtëror.
“Ne kemi rrit listën esenciale për ti trajtuar pacientët në fjalë. Aktivitete si këto janë të mirëseardhura. Përveç trajtimit shëndetësor, ndihmon edhe në aspektin shpirtëror”, tha Azizi.
Drejtoresha e klinikës së pediatrisë Vjoleta Graiçevci, i tha RTK-së se brenda vitit afërsisht diagnostikohen 50 deri në 60 raste të reja me kancer të fëmijët.























