Përfundon afati për konvertimin e targave
Edina Avdiu/ RTK
Afati për ndërrimin e targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës ka përfunduar sot dhe nuk do të zgjatet më. Në ditën e fundit të afatit shtesë, interesimi i qytetarëve në veri për ndërrimin e targave ishte i vogël.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar për RTK se nga fillimi i procesit më 1 nëntor deri më sot 3420 qytetarë i kanë konvertuar targat e tyre nga ato ilegale në RKS, ku komunat Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq prijnë me numrin më të madh të regjistrimeve. Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithsej 4225 konvertime të tabelave.
Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi.
Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe shoferët do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura haset përsëri në qarkullim, ajo do të konfiskohet.
Për çështjen e targave kryeministri Albin Kurti diskutoi me diplomatët amerikanë gjatë një takimi që mbajti të premten.
Kryeministri njoftoi ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në DASH se deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS.
Gjatë ditës, Kurti priti në zyrën e tij edhe Ambasadorin e Francës në Kosovë.
Gjatë bisedës, u trajtuan edhe temat e zhvillimet aktuale, që përfshijnë mbarëvajtjen e deritanishme të procesit të konvertimit të targave ilegale dhe regjistrimit të veturave me targa RKS dhe procesi që parashihet me udhëzimin administrativ për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.























