Kosova u konfirmua shtet i xhudos, Akil Gjakova në piedestal
BKT
Foto: FXHK & KOK
Në Fokus

Kosova u konfirmua shtet i xhudos, Akil Gjakova në piedestal

Blerim Halimi / RTKlive

Kosova vazhdon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare të xhudos, teksa sot ka fituar katër medalje në Kampionatin Evropian të Hapur, që për herë të parë në histori u mbajt në Prishtinë.

Performanca e jashtëzakonshme e xhudistit Akil Gjakova, sidomos në finale kundër Manuel Lombardo nga Italia solli emocione të jashtëzakonshme në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, e cila këtë të shtunë ishte e mbushur me dashamirët e këtij sporti që i solli krenari të madhe vendit tonë tash e disa vjet.

Me fitoren e katër medaljeve, një të artë dhe tri të bronzta, Kosova po vazhdon të bëjë histori si një qendër e fuqishme e xhudos në skenën evropiane. Triumfi i Akil Gjakovës, por edhe medaljet e bronzta të Dardan Cenës, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit, në drejtimin e trajnerëve Driton Kuka e Majlinda Kelmendi tregojnë rritjen e madhe të këtij sporti në vendin tonë.

Organizimi i këtij kampionati në Kosovë u vlerësua lart edhe nga krerët e shtetit.

Presidentja Osmani në adresimin e saj në ceremoninë zyrtare të këtij aktiviteti tha se ky kampionat përveç se përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive shënon edhe një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit.

“Kampionati sjell mundësi të shkëlqyeshme për të treguar se Kosova tashmë jo vetëm që është fituese e medaljeve olimpike, por edhe në mënyrë të shkëlqyeshme organizon ngjarje të nivelit të lartë evropian, duke e vendosur Kosovën në radhën e vendeve me kapacitet të lartë organizativ”, tha e para e shtetit.

“Përmes këtij kampionati pjesëmarrësve u ofrohet një mundësi e mirë për ta njohur shtetin më të ri në Evropë dhe trashëgiminë e tij. Kampionati është mirënjohje për suksesin e xhudisteve tona, e veçmas për kampionen tonë të parë olimpike, Majlinda Kelmendi", ka shtuar presidentja Osmani.

Lëvdata për drejtuesit e Federatës së Xhudos së Kosovës dhe mirënjohje për drejtuesit e Federatës Evropiane të Xhudos për besimin që ia dhanë Kosovës në organizimin e këtij aktiviteti pati edhe kryeministri Albin Kurti.

“Kosova është shtet i xhudos. Kosova është shtet evropian, andaj është plotësisht e natyrshme që Kampionati i Xhudos po mbahet në Kosovë. Faleminderit shumë Majlinda, e faleminderit shumë Driton”, theksoi kryeministri Albin Kurti.

Momenti kulmor i këtij kampionati pa dyshim ishte paraqitja e Akil Gjakovës në finale, ku ai mundi italianin Manuel Lombardo dhe siguroi medaljen e artë, duke bërë që të intonohej me krenari hymni dhe të valvitej flamuri i Kosovës. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë e veprojnë, festuan këtë sukses të Akilit. Pallati i Rinisë dhe Sportit u bë arenë e festës, ndërsa tifozët e pranishëm dhe ata që e ndoqën këtë ngjarje të madhe në mbarë botën përmes Radiotelevizionit të Kosovës festuan këtë triumf të merituar të xhudistit tonë.

E padyshim ky triumf solli emocione edhe për komentatorët e njohur sportivë të RTK-së, Arben Berisha dhe Artan Muhaxhiri, të cilët e komentuan këtë kampionat me një pasion të veçantë. Komentimi i tyre përplot emocion dhe transmetimi televiziv në cilësi të lartë nga ekipi i RTK-së u bë pjesë e historisë së këtij suksesi dhe pa dyshim do të mbetet një kujtim i paharruar për të gjithë dashamirët e xhudos.

Me organizimin e shkëlqyeshëm të këtij aktiviteti, i cili u vlerësua lart edhe nga drejtuesit e Federatës Evropiane të Xhudos dhe me paraqitjen mbresëlënëse të katër garuesve, Kosova u dëshmua sërish si një fuqi e sportit të xhudos në arenën ndërkombëtare.

Tashmë, vëmendja e Toni Kukës e Majlinda Kelmendit dhe ‘ushtarëve’ të tyre të xhudos është tek sfidat e tjera dhe drejt Lojërave Olimpike “Parisi 2024”, aty ku Kosova synon që sërish të lë gjurmë në tatamin e xhudos. Për të tjera suksese, për të tjera medalje.


MË SHUME NGA Në Fokus