S`ka fitues në ndeshjen Valencia - Barcelona
Uran Krasniqi/RTKLive
Barcelona ka humbur terren në garën për titull në La Liga. Shërbim për Gironan e Real Madridin ka bërë Valencia e cila e ka ndalur në barazim skuadrën e trajnerit Xavi.
Ndeshja e të shtunës në kuadër të La Liga e zhvilluar në "Mestalla" është mbyllur me rezultat 1-1.
Pjesa e parë njohu përpjekje nga të dyja anët me, fillimisht nga vendasit me Roman Yaremchuk e Hugo Duro e pastaj edhe mysafirët me Robert Lewandowski e Joao Felix, por pa sukses. Skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura.
Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për Barcelonën e cila në minutën e pesëdhjetë e pestë ka gjetur golin me Felix. Por Valencia nuk është dorëzuar. Ka qenë minuta e shtatëdhjetë kur Guillamon ka shfrytëzuar një top të dhënë nga Lopez Noguerol të cilin e ka dërguar në rrjetë dhe i ka mohuar skuadrës së Xavit fitoren.
Në tabelën e kryesuar nga Girona, Barcelona gjendet në vendin e tretë, ndërsa Valencia në vendin e dhjetë.























