Osmani: Dalje masive në zgjedhje kundër spastrimit etnik në Luginë
BKT
Lajme

Osmani: Dalje masive në zgjedhje kundër spastrimit etnik në Luginë

M. M. /RTKlive

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet që po mbahen atje për Kuvendin e Serbisë.

Ajo ka thënë se dalja në zgjedhje është kundërpërgjigje e duhur për politikën shoviniste të autoriteteve të Beogradit.

“Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative”, tha Osmani.

Ajo tutje ka ftuar të gjithë bashkëkombësit në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre, ka thënë ajo, vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd.

Shqiptarët në këto zgjedhje po marrin pjesë me dy lista zgjedhore: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

 


MË SHUME NGA Lajme