LDK: Draft-statuti i Asociacionit, pushtet të ri në territorin e Kosovës
BKT
Lajme

LDK: Draft-statuti i Asociacionit, pushtet të ri në territorin e Kosovës

F.Sertolli / RTKlive

Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian, “përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve”.

Në njoftimin për media, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, thuhet se kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.

“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”, vlerëson LDK-ja.

Po ashtu në njoftim theksohet se LDK-ja nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.

“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument. LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë.

“LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Lajme