Von Cramon: Jam e tronditur nga niveli i standardeve zgjedhore në Serbi
BKT
Lajme

Von Cramon: Jam e tronditur nga niveli i standardeve zgjedhore në Serbi

F.Sertolli / RTKlive

Eurodeputetja dhe njëherësh raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në "Lajmet e fundit", në RTK, duke i komentuar zgjedhjet në Serbi, tha se ndihet e tronditur dhe e irrituar nga niveli i standardeve zgjedhore atje. Ajo ishte pjesë e delegacionit të Parlamentit Evropian që vëzhguan zgjedhjet në Serbi.

Carmon ka listuar disa nga parregullsitë që u kryen në këtë proces, duke thënë se është pritur një respektim më i lartë i standardeve demokratike nga një vend kandidat i BE-së.

“Unë kam qenë anëtare e delegacionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të Parlamentit Europian në Serbi, ku së bashku me kolegët e mi kanë vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet serbe u mbajtën në kushte të pabarabarta dhe u zhvilluan me parregullsi të shpeshta në ditën e zgjedhjeve dhe para saj, si keqpërdorimi i burimeve administrative, blerja e votave dhe cenimi i fshehtësisë së votës”, tha Carmon.

Ajo tha se ishin dëshmitarë që u sollën votues nga etniteti i Republikës Srpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Ne pamë shumë gjëra aty, pamë raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat në BE, i cili negocion anëtarësimin në BE. Jam shumë e tronditur dhe e irrituar nga niveli këtyre standardeve zgjedhore”, tha Von Cramon, duke shtuar se nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë.

Në pyetjen nëse Vuçiqi do të ndryshojë qëndrimin në raport me dialogun, Von Cramon tha se është e vështirë të thuhet, tani për tani, për këtë çështje.

“Mund të shpresojmë për më të mirën. Shpresoj që BE-ja të veprojë në këtë drejtim në atë mënyrë që kemi parë në javët e fundit, që ka qenë një BE më i vendosur dhe në anën tjetër edhe SHBA ka qenë shumë e qartë, por që edhe Kosova duhet të implementojë ato që ka marrë zotimet. Pra qasja do të jetë hap pas hapi”, deklaroi Von Cramon.

Lidhur me idenë se Vuçiq pret që në SHBA të fitojë Donald Trump dhe të nisë ndonjë ofensivë në Kosovë për ndarjen e saj, Von Cramon tha se nëse ndodhë që Trump do të fitojë sërish, do të kemi probleme më të mëdha, sesa dialogu.


MË SHUME NGA Lajme