‘Integrimi Evropian i Kosovës’ informon qytetarët për udhëtime pa viza
N.M. /RTKlive
Si dihet qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pa pasur nevojë të presin më para ambasadave të huaja për t’u pajisur me vizë.
E lidhur me liberalizimin e vizave faqja qeveritare në ‘Facebook’ Integrimi Evropian i Kosovës”, që ka për qëllim ofrimin e informatave për rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian, ka vazhduar edhe sot informimin e qytetarëve të Kosovës rreth liberalizimit të vizave.
“Tani është në dispozicion numri i ri i informacionit për lëvizjen e lirë #PaViza! Telefononi në 080077001 nga ora 9:00 - 15:00 dhe merrni përgjigje për pyetjet tuaja rreth lëvizjes së lirë nga 1 Janari 2024”, thuhet në njoftimin e fundit në faqen, Facebook, ’Integrimi Evropian i Kosovës, ku kërkohet nga qytetarët që të informohen për udhëtimet në vendet e zonës Shengen.
Nga 1 janari 2024, me pasaportë të Kosovës, mund të udhëtohet pa viza afatshkurtëra në zonën Shengen. Kjo përfshin shikimin dhe vizitën e miqve ose familjes. Lejohet të qëndroni deri në 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.























