Zeqiri: Morëm premtimin se kërkesat do të ndahen sipas prioriteteve
BKT
Lajme

Zeqiri: Morëm premtimin se kërkesat do të ndahen sipas prioriteteve

F.Sertolli / RTKlive

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në “Info Plus” të RTK-së tha takimi me ministrin Sveçla ka qenë jashtëzakonisht konstruktive dhe se janë biseduar të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar.

"Janë 14 kërkesa për të cilat kemi fol dhe bisedë e sipër në realitet nuk është marr ndonjë vendim. Është marr vendim që këto kërkesa të analizohen në detaje dhe në takimin e ardhshëm të vendosen se për cilat do të vendosen prioritete”, tha Zeqiri.

Ai tha se është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, nuk mund të realizohen menjëherë.

“Mirëpo ne kërkuam edhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshmen të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog”, tha ai, duke shpresuar se kështu do të rrjedh edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden.

Zeqiri edhe njëherë i ka renditur të gjitha kërkesat e Sindikatës së Policisë drejtuar Qeverisë së vendit.

1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.

3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4. ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.

9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.

12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë.

14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë”, u shpreh Zeqiri në fjalën e tij para mediave.


MË SHUME NGA Lajme