Fest 62, mbyllet nata e dytë
BKT
Kulturë

Fest 62, mbyllet nata e dytë

RTSH

(E plotësuar, ora 23: 40) Nata e dytë e Fest 62 ka shënuar një kulminacion jo vetëm në aspektin e muzikor, por edhe të performancës së të 15 këngëtarëve, të cilët dhuruan plot emocione me interpretimin e tyre skenik, por edhe kolore vokalesh.

Mbrëmja ka qenë spektakolare jo vetëm për shkak të këngëve të paraqitura, por edhe prej të ftuarve të veçantë, të cilët e bënë mbrëmjen e Festivalin mbarë shqiptarë një mbrëmje e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e spektatorëve në sallë si dhe teleshikuesve në mbarë Shqipërinë.

E veçanta e kësaj mbrëmje ishte dhe fakti se ajo nuk pati vetëm spektakël, muzikë, humor, por edhe mesazhe sensibilizuese për të mbrojtur natyrën e sidomos ujërat e deteve, liqeneve dhe lumenjve, të cilat e bëjnë Shqipërinë një vend të bekuar.

Me 15 këngët e interpretuara në natën e dytë të Fest 62 është plotësuar edhe mozaiku i 31 këngëve pjesëmarrëse në Festival. Po ashtu, kjo natë e dytë hapi edhe televotimin, ku qytetarët mund të votojnë për këngën e tyre të preferuar, ndërsa më e votuara do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.

E ndërsa Festivali mbylli sonte natën e dytë, nesër bëhemi gati për të kënduar e kërcyer me natën speciale të nostalgjisë që do të ngjisë në skenë emrat më të mirënjohur të muzikës shqiptare.

Fest 62, nis nata e dytë e Festivalit

Ka nisur nata e dytë e Fest 62, në të cilën do të performojnë 15 artistë dhe grupe muzikore, që do të plotësojnë edhe mozaikun e paraqitjes së këngëve në skenën magjike dhe plot surpriza në Pallatin e Kongreseve.

Pas natës së parë, e cila ishte e mbushur plot emocione, edhe nata e dytë do të vijojë rrugëtimin magjik të Fest 62, duke dhuruar të tjera supriza për spektatorët në sallë dhe teleshikuesit.

Skena e Pallatit të Kongreseve nuk do të jetë vetëm e 15 këngëtarëve, të cilët do të performojnë. Ajo do të jetë edhe skena e një dueti unik ku pritet të këndojnë dy emra shumë të njohur të botës së muzikës, që përfaqësojnë edhe dy gjenerata artistësh siç do të jetë dueti mes Aleksandër Gjokës dhe Bojken Lakos.

Po ashtu, edhe anëtarja e jurisë, Anila Aliu do të interpretojë në piano, ndërsa moderatori Kledi Kadiu do të zhvillojë ndërkohë edhe një intervistë me të.

Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Edhe anëtari i jurisë, Indrit Mesiti do të dhurojë për publikun një performancë magjike në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve.

Ndërsa e ftuara speciale e kësaj mbrëmje është Rachelle Andrioti, e cila do të këndojë një këngë shumë të njohur në një version shumë interesant: “Bien fyelli dhe çiftelia”.

Kujtojmë se juria do të vendosë për 6 çmime, mes tyre edhe këngën fituese të çmimit të parë të Festivalit.

Edhe këtë vit do të jetë publiku, ai i cili do të vendosë se cila këngë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.

Nga ana tjetër, pas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nata finale e Fest 62 do të transmetohet edhe në Malin e Zi, duke marrë në këtë mënyrë përmasa ballkanike. Për herë të parë në historinë e Festivaleve, kanali shqip i radios së Malit të Zi do të sjellë drejtpërdrejt natën magjike të ndarjes së çmimeve.

Këngët konkurruese në natën e dytë:

Big Basta & Vesa Luma - Mbinatyrale

Elsa Lila - Mars

Jasmina Hako - Ti

Michela Paluca - Për veten

Anduel Kovaçi - Nan’

Kleansa Susaj - Pikturë

Eden Baja - Ajër

Erina & The Elementals - Jetën n’skaj

Irma Lepuri - Më Prit

Arsi Bako - Zgjohu

Tiri Gjoci - Në ëndërr

Besa Krasniqi - Esenciale

Bledi Kaso - Çdo gjë mbaroi

Troy Band - Horizonti i ëndrrave

Martina Serreqi - Vetëm ty

Nata e dytë e Fest 62, në skenë 15 këngëtarë

Në prag të natës së dytë të Festivalit të 62 të këngës, 15 këngëtarët që do të performojnë sonte zhvilluan provat e fundit. Shumë prej tyre rikthehen në këtë festival duke vlerësuar në mënyrë të veçantë orkestrën simfonike, e cila sonte do të drejtohet edhe nga një dirigjente vajzë.

Edhe sonte do të ketë të ftuar të veçantë. Një prej tyre është edhe anëtari i jurisë, Indrit Mesiti, i cili jep përshtypjen për atmosferën në natën e parë të konkurrimit.

Mesiti do të ngjitet në skenë si i ftuar me grupin e tij me një krijim enkas për Fest ’62. Po ashtu do të performojnë si të ftuar në festival Aleksandër Gjoka e Bojken Lako, si dhe këngëtarja italiane Rakele Andrioli.   


MË SHUME NGA Kulturë