Interesim i madh i të rinjve për gara me makina, shumica prej tyre ilegale
Valjeta Shala/RTK
Garat ilegale me makina, edhe pse të ndaluara, vazhdojnë të praktikohen nga të rinjtë tanë. Madje interesimi i atyre për të qenë pjesë e garës është mjaft i madh.
“Interesimi nga të rinjtë tanë për të qenë pjesë e garave është jashtëzakonisht i lartë”. Kështu thotë Advan Plakolli nga grupi “Marakli t’kerreve”, që ka 160 mijë anëtarë aktivë.
Plakolli thotë se si grup nuk i përkrah garat ilegale.
"Shteti jonë sa i përket kësaj fushe nuk ka bërë asgjë. Shqipëria është duke bërë një pistë për të gjitha llojet e garave. Edhe ne është dashur të bëjmë diçka në këtë drejtim, duke pasur parasysh kërkesat jashtëzakonisht të mëdha", tha Plakolli.
E eksperti i komunikacionit Nol Dedaj, tha se garat ilegale me makina janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
“Në Kosovë që nga paslufta zhvillohen shumë garat ilegale nëpër rrugët nacionale. Niveli i rrezikshmërisë është jashtëzakonisht i lartë pasi ato janë të paparalajmëruara dhe zhvillohen pa masa të sigurisë. Fati më i keq është se këto nuk janë në kontroll të organeve të sigurisë siç e kishim rastin e fundit", tha Dedaj.
Nga Policia e Kosovës njoftuan se po vazhdojnë me plane operative e me pika të kontrollit me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të komunikacionit rrugor.























