Ajvazi: Nuk do të ketë tolerancë ndaj shkelësve të rregullave në trafik
E. Hoti / RTKlive
Aksidentet e ditëve të fundit ku humben jetën disa persona dhe mbetën të lënduar shumë të tjerë ngritën reagimin institucional duke paralajmëruar ashpërsim të masave në komunikacion.
Drejtori i Departamentit për Rendin Publik në Policinë e Kosovës, Arbresh Ajvazi ka theksuar se Policia e Kosovës njërën nga objektivat kryesore e ka ngritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve të trafikut .
“Ne jemi duke e implementuar urdhërin operativ “Siguria në trafikun rrugor” dhe kemi planifikuar masa shtesë në parandalimin e aksidenteve ku kërkohet mobilizimi i të gjitha njësive policore, të njësive të nivelit qendror që merren me trafikun, njësitë e nivelit rajonal, njësitë e patrullave policore, njësia për kontrolle të autostradave dhe njësitë tjera”, tha Ajvazi në ‘Lajmet e fundit’ në RTK.
Ai po ashtu sqaroi se kanë caktuar ekipe të veçanta të eprorëve të policisë të cilët do të bëjnë inspektime të vazhdueshme në terren për 24 orë me qëllim të implementimit të planit operativ.
“Nuk do të ketë tolerancë ndaj asnjë shkelësi të rregullave në trafikun rrugor”, theksoi Ajvazi.
Ai tha se bazuar në statistikat këtë vit janë dy viktima më pak se vitin e kaluar.
Ndërsa, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi tha se edhe përkundër punës së vazhdueshme të Policisë së Kosovës ka hapësirë për marrjen e masave tjera konkrete.
“Nuk jam ithtarë i shqiptimit të dënimeve dhe kundërvajtjeve në trafik, mirëpo mendoj që një qasje e integruar dhe gjithëpërfshirëse do të ndryshonte gjendjen ekzistuese. Ne nuk kemi strategji kombëtare dhe politika të qarta për sigurinë rrugore”, tha ai.























