Aliu: Gjykata Speciale projekt i Serbisë kundër Kosovës
BKT
Lajme

Aliu: Gjykata Speciale projekt i Serbisë kundër Kosovës

RTK

(E plotësuar) Ministri Liburn Aliu në intervistën për RTK Prime ka thënë se Gjykata Speciale është projekt i Serbisë dhe kundër shtetit të Kosovës, por edhe kundër ndërlidhjes historike të Kosovës me luftën e saj për liri.

“Mos të harrojmë ne jemi sot si Kosovë falë luftës, dhe jemi ndërtuar si shtet në luftë e sipër, dhe kjo na bën krenar për identitetin tonë, krenaria mbi të kaluarën tonë”, tha Aliu. 

Sipas tij një vend e një popull është lehtë ta tjetërsosh nëse ia këput lidhjet me historinë e vet.

Aliu theksoi se Kosova mbrohet duke mbrojtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne punojmë për të ndërtuar një shtet më të fortë dhe motivi për këtë është te kujtimi për shokët dhe njerëzit që kanë dhënë jetën për këtë punë. Tendenca për të na shkëputur nga e kaluara është tendencë për ta humbur të sotmen, për të goditur direkt në shtet. Mendoj se projekti i Gjykatës Speciale është projekt i Serbisë për ta goditur Kosovën, dhe e jona është ta mbrojmë Kosovën, duke e mbrojtur UÇK-në”, theksoi Aliu.

Aliu: Republika e Kosovës kompromis për paqen

Ministri Aliu duke komentuar deklaratën e tij e cila bëri bujë se Kosovën e sheh si projekt të përkohshëm, ka thënë se pyetja iu kishte bërë se si e shihni Kosovën pas 200 vitesh. “...dhe Kosovën pas 200 vitesh e shoh të bashkuar me Shqipërinë. Arsyetimi është shumë i qartë, por që nuk është dhënë i tëri”, theksoi Aliu.

Ai tutje ka thënë se prej kur ka qenë aktiv në politikë, ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet ka qenë një ide që i ka mobilizuar shqiptarët në luftën e tyre për  çlirim.

Sipas tij kjo është konsideruar zgjidhje e cila krijon stabilitet në Ballkan dhe krijon mirëqenie për shqiptarë. Për gjatë viteve e dekadave, sipas Aliut, Republika e Kosovës dhe shteti i Kosovës është konsideruar kompromis edhe nga presidenti Ibrahim Rugova, edhe nga shteti shqiptar në të shkuarën.

“Duke pasur idenë që shqiptarët kanë të drejtë në bashkim me Shqipërinë, për hir të paqes kanë bërë kompromis dhe kompromisi është Republika e Kosovës, respektivisht shteti i pavarur sot. Kur themi Republika e Kosovës është kompromis, ne, nuk heqim dorë nga e drejta që kemi për bashkim me Shqipërinë, por që themi se për shkak se duam paqen jemi për pavarësinë e Kosovës sepse ndryshimi i kufijve mund të sillte konflikte të reja e kështu me radhë. Pra, për shkak të paqes jemi orientuar në këtë pikë. Konsideroj se është paqja e cila mirëmban shtetin e Kosovës”, shtoi Aliu.

Aliu: Bashkimi i shqiptarëve krijon stabilitet

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se Kosova është projekt i përkohshëm dhe pa identitet të plotë, sepse sipas tij Kosova ende është në pasiguri me vetveten me një identitet multietnik. Ai vlerëson se bashkimi i shqiptarëve në një shtet krijon stabilitet.

“Kosova është nën kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia, dhe po të mos ishte rreziku nga Serbia edhe nuk do ta shihja Kosovën si projekt të përkohshëm”, deklaroi Aliu në RTK Prime.

Ai theksoi se bashkimi i shqiptarëve do të sillte stabilitet sepse sipas tij Kosova nuk mund të bazohet në prezencën e KFOR-it. “Kur flasim për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme ne nuk mund të bazohemi në prezencën e KFOR-it sot, sepse nuk dihet si do të shkojnë punët, dhe me rrezikun nga Serbia zgjidhja më e mirë dhe me siguri për stabilitet është bashkimi”, deklaroi Aliu, transmeton RTKlive.  

Ai theksoi se “vetëm bashkimi krijon stabilitet në Ballkan, nën kërcënimin e vazhdueshëm nga Serbia. Kosova si e vetme do të jetë përherë e rrezikuar. Nuk po them që s’mund t’ia dalim, ne mund edhe të mobilizohemi mirë, të forcohemi dhe të luftojmë kundër tyre. Por, fatkeqësisht  do të jemi të detyruar të jemi tërë kohën të mobilizuar dhe të orientuar nga aspekti i sigurisë në mënyrë që t’i bëjmë ballë. Kësisoj, të bashkuar me Shqipërinë, situata karshi Serbisë së tanishme, e cila ka pretendime të hapura gjithmonë ndaj Kosovës, është opsion përherë”, tha Aliu.       

Sipas tij, derisa Serbia instrumentalizon serbët e Kosovës për qëllime të veta, atëherë shoqëria jonë nuk do të jetë multietnike, por multietnikoserbe. “Synimi i Zajednicës është që brenda komunave serbe të jetë shoqëri njëetnike, pra serbe, kurse jashtë tyre shoqëri multietnike dhe serbe”, deklaroi Aliu.  

Ministri tha se shoqëri multietnike dhe Asociacion nuk mund të ketë.  Aliu deklaroi se shqiptarët e kanë të drejtën që të jetojnë bashkë dhe me këtë edhe ballafaqimi me çdo situatë përball Serbisë do të ishte më i fortë.

 

 


MË SHUME NGA Lajme