Osmani: Ka tendencë që masat të përdoren si kushtëzim për Kosovën
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Osmani: Ka tendencë që masat të përdoren si kushtëzim për Kosovën

Blerim Halimi / RTKlive

(E plotësuar, 12:20) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar edhe një herë të padrejta masat që BE-ja ia pati vendosur Kosovës, derisa ka thënë se ka tendencë që ato tani po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ato masa duhej të hiqeshin moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve që kanë ekzistuar mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, nuk e ka pushtuar askënd, nuk ka përdorur dhunë dhe nuk e ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe jopropocionale”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se ajo  çfarë është kërkuar nga Kosova për atë që e quanin deeskalim tashmë ka ndodhur dhe se masat veçse është dashur të hiqeshin sepse janë masa që në mënyrë të pa drejtë afektojnë negativisht jetën e qytetarëve nëpërmjet projekteve që janë bllokuar, e të cilat kryesisht i dedikohen komunave.   

“Për fat të keq ato ende nuk janë larguar dhe pajtohem me ju se ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja për të cilën ato janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse në fakt kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ. Pra, në qoftë se dikush mendon të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo, duke këmbëngulur edhe njëherë se masat duhet të hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kërkesat e BE-së sa i përket deeskalimit.

Osmani: Hezitimi për pranimin tonë në BE e NATO, mundësi për destabilizim

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar Bullgarinë shtet mik, partner dhe aleat të Kosovës në të gjitha aspektet, derisa tha se pret mbështetjen e këtij shteti edhe drejt anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe BE.

Ajo në konferencën e përbashkët për media me presidentin bullgar, Rumen Radev ka thënë se që nga viti 1999 kur u shënua edhe angazhimi i parë për paqen dhe sigurinë në vendin tonë e deri më tani, Bullgaria ka dhënë kontribut në çdo etapë për ndërtimin e paqes dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

“Angazhimi në KFOR, njohja e pavarësisë, duke qenë se Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që na ka njohur, përkrahja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkrahja e anëtarësimit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe përkrahja e vazhdueshme për integrimin euroatlantik”, ka theksuar Osmani.

Tutje e para e shtetit ka thënë se Bullgaria këtë përkrahje e rikonfirmoi edhe me votën që i dha Kosovës në fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa tha se pret mbështetje të tillë edhe në fazat e tjera deri në pranimin e plotë në këtë këshill.

Osmani më tej ritheksoi nevojën e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa drejt anëtarësimit në NATO, duke i ditur sfidat e sigurisë nëpër të cilat po kalon kontinenti ynë.

“Vetëm anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat mëtojnë një gjë të tillë, do të mund të ketë efekt afatgjatë për paqe në rajonin tonë”, tha Osmani.

Ajo shprehu shpresën në mbështetjen e fuqishme nga Bullgaria në anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, derisa tha se pret që anëtarësimi i Kosovës të konsiderohet prioritet edhe nga vet BE-ja, pasi kjo do të krijonte stabilitet në rajon.

“Udhëheqja e guximshme dhe veprimet vendimtare të aleatëve tanë në familjen euroatlantike janë të nevojshme për të përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit edhe në BE edhe në NATO. Sepse çdo hezitim do të krijonte një boshllëk, duke i dhënë mundësi aktorëve keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin e përtej”, nënvizoi presidentja Osmani.

E para e shtetit tha se Kosova si vend demokratik, si vend 100 përqind i afruar me vendimet e politikës së jashtme të sigurisë së BE-së mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të kultivuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë.

“Për ne raporti me Bullgarinë gjithmonë ka qenë i një rëndësie të veçantë, prandaj besoj fuqimisht se me përpjekjet tona të përbashkëta do të krijojmë mundësi të reja jo vetëm për të ruajtur paqen në Kosovë por në të gjithë rajonin, si dhe do të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit të cilët do ta pasurojnë dhe fuqizojnë gjithnjë e më shumë partneritetin tonë. Ne shohim Bullgarinë si shtet mik, partner dhe si aleat. Prandaj jemi të gatshëm e plot vullnet për zhvillime pozitive në fusha të ndryshme të partneritetit bilateral  nga ekonomia, energjia e arsimi, deri te fusha e sigurisë dhe e mbrojtjes”, shtoi Osmani.

Presidenti bullgar pritet me ceremoni nga presidentja Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur me ceremoni shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili po qëndron për vizitë dyditore në vendin tonë.

Osmani e Radev tani ndodhen në takim në selinë e Presidencës.

Pas takimit ata do të mbajnë një konferencë për media, derisa presidenti bullgar më pas do të takojë edhe kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, do të qëndrojë për vizitë dyditore në Kosovë.

Presidenti i Bullgarisë sot nis vizitën dyditore në Kosovë

Radev do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani me ceremoni shtetërore ndërsa do të mbajnë edhe konferencë të përbashkët për media.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, do të pritet në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.


MË SHUME NGA Lajme