Gjykata Kushtetuese i hap rrugë vetingut në sistemin e drejtësisë
BKT
Foto arkiv/RTKlive
Lajme

Gjykata Kushtetuese i hap rrugë vetingut në sistemin e drejtësisë

A.B/RTKlive

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me vendimin e sotëm i ka hapur rrugë vetingut në sistemin e drejtësisë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur me 6 vota për dhe 2 kundër, që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese është konstatuar: “njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; (iii) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës; ndërsa (iv) njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Aktgjykimi në fund thekson që nuk është kontestuese që pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe sistemit prokurorial janë parime thelbësore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e cila bazohet në vlerat e sundimit të ligjit dhe të demokracisë.

"Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dy institucione të pavarura kushtetuese, duke u akorduar të njëjtave kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht, duke përfshirë edhe çështjet që ndërlidhen me procedurat disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, dhe kompetencën për propozimin e shkarkimit të tyre. Këto kompetenca të Këshillave ngërthejnë edhe detyrimin, që të njëjtat, të veprojnë me efikasitetin e duhur në zbatimin e ligjeve të aplikueshme, përfshirë Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj çdo gjyqtari dhe prokurori që mund të cenojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Republikën e Kosovës", thuhet në vendimin e Kushtetuesës.

Aktgjykimi i Kushtetueses thekson që funksionimi dhe administrimi i mirëfilltë i drejtësisë, përfshirë edhe besimin e publikut në këtë sistem, reflekton një ndër parimet më esenciale të një shoqërie demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, parim ky i cili është vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO 55/23, përkitazi me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara kushtetuese nga dyzet (40) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të referuara nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 2 mars 2023, përmes shkresës nr.08/3509/Do/1493/1. Kërkesa është dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 9 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafit 3 të nenit 144 [Amendamentimi] të Kushtetutës, sipas të cilit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, para miratimit në Kuvend, duhet të referojë amendamentet e propozuara kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim që të konstatohet nëse amendamentet e propozuara i pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

Njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta gjeni KËTU.


MË SHUME NGA Lajme