`Zemër n`dorë`, Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion 2024
A.S & A.B/RTKlive
(E plotësuar, ora 00:46) Besa Kokëdhima është shpallur fituese e edicionit të 62-të Festivalit të Këngës në RTSH. Me këngën "Zemrën n`dorë` do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song që në 2024 do të mbahet në Malmo të Suedisë.
“Faleminderit nga zemra, faleminderit familjes sime. Faleminderit shumë Kledi Bahiti, Darko Dimitrov, Rozana Radi, Petrit Sefaj, Erjon Zaloshnja dhe orkestrës, si dhe Bojken Lakos që është një perlë dhe që është një nga arsyet që kam marrë pjesë në Festival sivjet. Ju falënderoj shumë, të gjithëve. Dhe faleminderit për mbështetjen të gjithëve do të bëj të pamundurën”, u shpreh Besa Kokëdhima.
Ndryshe çmimin e parë e fitoi Mal Retkoceri me këngën "Çmendur", çmimin e dytë e fitoi Tiri Gjoci me këngën "Në ëndërr" dhe çmimin e tretë e fitoi Shpat Deda me këngën 'S’mund t'fitoj pa ty'.
Mal Retkoceri është fitues i çmimit të parë në Festivalin e 62 të këngës në RTSH me këngën "Çmendur". Mes emocionesh ai u shpreh pas ngritjes së kupës së Festivalit se ndjehet shumë i vlerësuar nga çmimi.
“Shumë faleminderit, shumë faleminderit jurisë. Këngën e kam bërë prej zemrës. E kam interpretuar prej perspektivës së një personi që e dua shumë, prej nënës sime. E kam shkruar për të gjithë ata persona që janë të shkelur prej personave të tjerë dhe që i përdorin për sende personale të tyre. E mira dhe e vërteta, del”, u shpreh Retkoceri.
Çmimi i dytë i Festivalit u fitua nga Tiri Gjoci me këngën “Në ëndërr”. Pas marrjes së çmimit Gjoci deklaroi se ndihej shumë i emocionuar.
“Faleminderit shumë. Kemi qenë një grup që e kemi bërë këngën me shumë dashuri”, u shpreh Gjoci.
Ndërsa këngëtari Shpat Deda fitoi çmimin e tretë me këngën “S’mund të fitoj pa ty”.
Ai shprehu shumë falenderim për vlerësimin që i dha juria.
“Jam i emocionuar. Falenderoj edhe Orkestrën e RTSH-së, si dhe audiencën time që më ka ndjekur ndër vite”, tha Deda
Në Festivalin e RTSh-së performoi fituesi i Festivalit të Këngës në RTK
(E plotësuar, ora 23:32) Sonte në Festivalin e RTSh-së performoi edhe fituesi i Festivalit të Këngës në RTK.
Fitues i Festivalit të parë të Këngës në Kosovës, La Fazani ka ndezur skenën e Fest' 62."La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” ishte shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK.
Festivali i RTSH-së, nata finale, spektakël dhe garë
(E plotësuar, ora 21:15) Ka nisur nata finale e Festivalit në RTSH. Sonte kurorëzohet fituesi që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
Gjithçka është bërë gati për fillimin e natës finale të Festivalit të Këngës në RTSH.
Në natën finale të këtij festivali po marrin pjesë edhe mysafirë, duke përshirë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Në skenë do të performojnë 22 këngëtarë. Por në garën për në Eurovizion do të jenë të 31 pjesëmarrësit e këtij edicioni, kurse fituesi do të përzgjidhet përmes televotimit.
Tre netët e festivalit u transmetuan në RTK 4, kurse nata finale sonte transmetohet edhe në RTK1.
Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte në natën finale:
Kastro Zizo - 2073
Mal Retkoceri - Çmendur
Erina & The Elementals - Jetën n'skaj
Melodajn Mancaku - Nuk jemi më
Tiri Gjoci - Në ëndërr
Kleansa Susaj - Pikturë
Irma Lepuri - Më prit
Festina Mejzini - Melos
Eldis Arrnjeti - Një kujtim
Martina Serreqi - Vetëm ty
Besa Krasniqi - Esenciale
Sergio Hajdini - Uragan
Olimpia Smajlaj - Saj
Anduel Kovaci - Nan
Michela Paluca - Për veten
Peter Pan kuartet - Një herë
Besa Kokëdhima - Zemrën n'dorë
Arsi Bako - Zgjohu
Elsa Lila - Mars
Andi Tanko - Herë pas here
Shpat Deda - S’mund t'fitoj pa ty
Big Basta & Vesa Luma - Mbinatyrale





























