Prioritetet buxhetore të Prizrenit|VIDEO
Myrvete Axhami/ RTK
Komuna e Prizrenit nis vitin 2024 me 65 milionë euro, prej tyre 21 milionë do të shkojnë në investime kapitale dhe rreth 4 milionë subvencione.
Drejtoritë për vitin që vjen kanë përcaktuar prioritetet, ndërsa prin ajo e shërbimeve publike, që do të menaxhojë për projekte kapitale rreth 18 milionë euro.
Qytetarët kërkojnë që buxheti i 2024-s të mos orientohet vetëm në infrastrukturë, por edhe në arsim e punësim, derisa opozita kritikon Komunën për ndarjet buxhetore duke thënë se ka diskrepancë mes planifikimit dhe kërkesave, raporton RTKlive.
65 milionë euro janë në dispozicion të komunës së Prizrenit për vitin e ardhshëm.
Qytetarët kërkojnë që linjat buxhetore të mos orientohen vetëm në infrastrukturë , por më shumë të ketë fokus në arsim e punësim.
“Ne si qytetarë e dimë që pjesë e rëndësishme është edhe infrastruktura për vendin ku jetojmë, por duhet ti kushtojmë rëndësi edhe investimeve që bëhen në arsim në ngritje të cilësisë më tepër të rinjve për nxitje të motivimit të të rinjve për me qëndru sa më tepër në Kosovë”, tha Edisa Koro, qytetare.
“Definitivish ende ka nevojë për kompletimin e infrastrukturës si në komunën e Prizrenit dhe komuna të tjera, por duhet tu ipet rëndësi edhe fushave të tjera të jetës, sektorëve të tjerë. E kisha cek mbështetjen e të rinjve për punësim”, tha Qazim Pirana, qytetar.
Sipas kryetarit të kësaj komune Shaqir Totaj 21 milion euro shkojnë në investime kapitale, subvencione rreth 4 milion dhe të tjera.
“Prioritetet i kemi marrë nga debatet me qytetarë, me banorët e territorit të komunës së Prizrenit dhe ato kërkesa kanë dalë si rezultat i nevojave që ne i kemi marrë gjatë bashkbisedimit me ta në fazën e konsultimeve buxhetore. Nuk ka pas asnjë kërkesë palidhje, as kërkesë megalomane, por naryrisht njerëzit i paraqesin nevojat e veta, kurse ne nga pamundësia me realizu të gjitha, e bëjmë njëfarë selektimi, caktojmë prioritetet, disa i realizojmë vitin e ardhshëm, disa vitin tjetër dhe kjo na imponohet pasi qeveria qëndrore vetëm 22 % të buxhetit të Kosovës e ndanë për të gjitha komunat|, tha Shaqir Totaj, kryetar i komunës së Prizrenit.
Buxheti i komunës së Prizrenit për vitin 2024 u votua me shumicë votash, ku asamblistët e LDK abstenuan, ndërsa ato të VV e bojkotuan.
Adem Hoxha nga Vetëvendosje përmes një përgjigje me shkrim ka sqaruar arsyet e mos votimit.
“Buxheti i komunës për vitin 2024 ka shume diskrepance mes kërkesave të qytetave dhe planifikimit të ekzekutivit. Fatkeqësisht nuk i kanë harmonizuar kërkesat e qytetarëve në linjat buxhetore. Linjat buxhetore janë përpiluar puro për kërkesa politike dhe klaneve të afërta me pushtetin”, tha Hoxha.























