Xhaferi për rrugën A: Do ta kemi në mesin e vitit 2024
M.P. / RTKlive
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, ka folur për punimet infrastrukturore në kryeqytet. Ai ka deklaruar se janë 200 buldozherë të cilët këtë vit kanë intervenuar nëpër rrugë.
Ndër të tjera ai në “Info Plus” ka folur për ndaljen e punës në rrugën A.
“Rruga A është rrugë me gjashtë korsi, me shteg biçiklistash, është model që i jep Prishtinës zhvillim jashtëzakonisht të madh. Për herë të parë Gjykata Komerciale ka pezulluar punimet e një projekti i cili është duke punuar, ne sot kemi menduar që gjysmën e rrugës ta kemi të asfaltuar, kjo ka shkaktuar vonesë prej katër pesë muajsh të punimeve”, ka thënë Xhaferi për RTK.
Xhaferi ka treguar edhe kohën kur do të përfundojë kjo rrugë, teksa ka thënë se beson që shumë shpejt të rinisin punimet.
“Lufta është mes OSHP-së dhe Gjykatës Komerciale. Qytetarët e Prishtinës kanë pësuar për një investim kaq të madh, unë besoj shumë që punimet do të vazhdojnë dhe në mesin e vitit tjetër do ta kemi rrugën A me një vonesë një deri në dy muaj”, ka deklaruar drejtori, transmeton RTKlive.























