Problemet e zjarrfikësve ende të pazgjidhura/Video
Valjete Shala/RTK
Teksa jemi në prag të ndërrimit të moteve, janë zjarrfikësit ata të cilët në çdo festë janë në krye të detyrës mes shumë shërbyesve të tjerë publikë në vend. Por gjatë vitit 2023, zjarrfikësit thonë se janë përballur me sfida të ndryshme. Ata i mban shpresa se vitin e ardhshëm do t`u adresohen dhe të zgjidhen problemet e tyre.
Zjarrfikësi Besim Fazliu, i cili ditën e nisi me një punë mjaftë të rrezikshme, thotë se edhe sfidat në terren të ekipit nuk janë të vogla.
“Sfida kemi për çdo dite sikurse komunikacioni, qasja e kufizuar ne objekte, parkingjet etj”, tha ai.
Kurse, vozitësi Lulzim Qollaku thekson se komunikacioni i ngarkuar ia vështirëson arritjen ne vendngjarje sa më shpejt që të jetë e mundur.
”Punoj si shofer që 15 vite. Sfidat janë të mëdha. Komunikacioni shume i ngarkua, e po ashtu edhe veturat parkohen vend e pa vend. Por ja dalim disi", shprehet ai.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, numëron problemet që kanë zjarrfikësit.
“Ka shumë probleme, sikurse statusi i pazgjidhur, numri i vogël i zjarrfikësve, mosha e shtyer, mungesa e kapaciteteve teknike dhe dualizimi i krijuar ne mes te pushtetit lokal dhe qendror për mbarëvajtjen e shërbimeve. Pagat i marrim nga komuna dhe jemi ligjërisht staf në kuadër të MPB-së", tha ai.
Beka pret që kërkesat e tyre të përmbushen gjatë vitit 2024.
Gjatë këtij viti, Brigada e Zjarrfikësit, e cila mbulojnë komunën e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit e Graçanicës, ka kryer intervenuar në mbi 2300 raste të ndryshme.























