Durmishi: Rruga Prishtinë - Podujevë përfundon vitin e ardhshëm
B. H. | RTKlive
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka deklaruar se rruga Prishtinë-Podujevë do të jetë e përfunduar në vitin e ardhshëm. Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se tani edhe vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit (OSHP) është në anën e ministrisë.
“Në kohën kur i nënshkruam kontratat dhe filluam punimet u bë shumë zhurmë gjithandej nëpër media. Bëhej fjalë për një ankesë në OSHP, nga një kompani e cila nuk kishte të drejtë ankese, sepse nuk ishte lider i konsorciumit dhe nuk ishte i autorizuar që të përfaqësonte konsorciumin. Ne në atë kohë e sqaruam këtë çështje dhe me të drejtë i kishim nënshkruar kontratat. Sulmoheshim vazhdimisht me muaj të tërë sepse dikujt i pengonte suksesi ynë në ndërtimin e kësaj rruge. Atje punimet po zhvilloheshin përtej dinamikës së planifikuar”, ka theksuar Durmishi.
Ai tutje ka thënë se tani e kanë edhe vendimin e OSHP-së, që është në favorin e kësaj ministrie, por që sipas tij nuk u bë lajm në asnjë medie.
“Kaluan 22 ditë prej kur është marrë vendimi dhe asnjë medie nuk e ka publikuar deri më sot. A thua pse? Paramendoni se çfarë do të ndodhte sikur të mos i nënshkruanim në atë kohë kontratat. Kontratat do të mund t’i nënshkruanim vetëm tani në dhjetor dhe punimet nuk do të mund të fillonin deri në vitin e ardhshëm”, ka shtuar ai.
Sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, dëmi do të ishte shumë i madh sepse ende nuk do të kishin filluar me punime si dhe buxheti për vitin 2023 nuk do të shpenzohej.
“Ne po ecim përpara e nuk po ndalemi e rruga Prishtinë – Podujevë vitin e ardhshëm do të jetë e përfunduar”, ka përfunduar Durmishi.
























