Hoxhaj: Qeveria hoqi dorë nga `marrëveshja ligjërisht të detyrueshme`
SH.Ç/RTKlive
Nënkryetari i Kuvendit, i cili vjen nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria ka hequr dorë nga kushti gjerman për “marrëveshje ligjërisht të detyrueshme” me Serbinë.
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se një dekadë më parë, Kosova humbi një mik të madh, ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili, sipas Hoxhajt, i dha mbështetje të jashtëzakonshme Kosovës së pavarur dhe luajti një rol kryesor në vendosjen e kushtit gjerman në marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Një dekadë më parë, ne humbëm një mik të madh, ish-ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle. Ai i dha mbështetje të jashtëzakonshme Kosovës së pavarur dhe personalisht e di që luajti një rol kyç në vendosjen e kushtit gjerman, dhe më vonë kushtit të BE-së, “marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme” për Serbinë, një kusht nga i cili hoqi dorë këtë vit Qeveria e Kosovës duke pranuar një marrëveshje që nuk është as marrëveshje ligjërisht e detyrueshme dhe as nuk ka njohje të ndërsjellë!”, ka shkruar Hoxhaj.























