Ibrahimi: Sivjet janë arkëtuar 99% e 44.5 milionë eurove të planifikuara
BKT
Në Fokus

Ibrahimi: Sivjet janë arkëtuar 99% e 44.5 milionë eurove të planifikuara

Pajtim Çuni / Radio Kosova

Deri në 10 ditshin e parë të dhjetorit komunat e Kosovës këtë vit kanë realizuar rreth 37% të hyra më shumë nga tatimi në pronë. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, thotë se sivjet janë arkëtuar rreth 99% e 44.5 milionë eurove të planifikuar me Ligjin për buxhetin. Nga Komuna e Prishtinës thonë se kanë mbledhur tatime më shumë se që kishin planifikuar.

Faturat e tatimit në pronë këtë vit ishin dukshëm më të larta se ato të viteve paraprake. E gjithë kjo si pasojë e vlerësimit të përgjithshëm që bëri Ministria e Financave gjatë vitit 2022, për tokat dhe objektet e banuara.

Pas pakënaqësisë qytetare dhe me propozim të Qeverisë, në Kuvend u ndryshua Ligji për tatimin në pronë, i cili do t’ua mundësonte komunave faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë për qytetarët.

Ky ligj që nga kryetarë të komunave konsiderohej ndërhyrje në kompetencat e komunave dhe varfërues i të hyrave vetanake, u dërgua në Gjykatë Kushtetuese, nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Pas kësaj, më 22 nëntor, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë duke konstatuar se ndryshimet ligjore nuk cenojnë përgjegjësitë komunale.

Në lidhje me vlerën dhe përqindjen e tatimit në pronë që kanë grumbulluar komunat deri tani dhe gjendjen krahasuese me vitin 2022, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Financave. Nga ky dikaster qeveritarë nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka treguar se deri më 11 dhjetor janë realizuar 99% e rreth 44.5 milionë eurove të planifikuara si të hyra, me ligjin për buxhetin.

“Tatimi në pronë nëpër komuna, përgjithësisht, është mbledhur dhe ka tejkaluar parashikimin për këtë vit, sepse, zakonisht diaspora i paguan edhe borxhet paraprake të tatimit në pronë. Mirëpo, nuk do të thotë se të gjitha këto të hyra vetanake do të shpenzohen në investime kapitale, sepse ndikim të drejtpërdrejtë do të ketë mendimi juridik i Gjykatës Kushtetuese për sa i përket zbatimit të Kontratës Kolektive ku shumica absolute e mjeteve financiare do t’iu merren komunave nga investimet kapitale”, tha Ibrahimi.  

Krahasuar me vitin e kaluar ka rritje të të hyrave nga tatimi në pronë nëpër komuna për 37%, theksoi tutje Ibrahimi. Për rritje flet edhe Valbona Makolli, drejtore e Financave në Komunën e Prishtinës.

Në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, ajo ka treguar se ndryshe nga viti 2022 kur kishin arkëtuar rreth 85% të tatimeve, këtë vit deri në fund të nëntorit kanë “realizuar 12 milionë e 605 mijë euro apo 111%” e mjeteve të planifikuara. Ndërkaq, drejtori për ekonomi e financa në Komunën e Prizrenit, ka bërë të ditur se deri më datë 12 dhjetor janë paguar mbi 3 milionë e 470 mijë euro, apo afro 80 për qind e tatimeve.

Komuna e Drenasit, Graçanicës, Obiliqit, Vushtrrisë, Skenderajt, Suharekës, Gjilanit, Kamenicës si edhe ajo e Hanit të Elezit, këtë vit qytetarëve të tyre ua kanë falur nga 100 euro nga tatimi në pronë.


MË SHUME NGA Në Fokus