Kurti në takim me gazetarët: Ky vit ka qenë i suksesshëm, por edhe sfidues
M.Sh/RTKlive
Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti këtë vit e konsideron të suksesshëm nga ana e qeverisë, por edhe sfidues për vetë stafin e tij, por edhe për gazetarët që kanë përcjellë ekzekutivin, por edhe zhvillimet gjithandej vendit. Ai tha se gazetarët nga terreni e kanë pasur të vështirë raportimin, edhe për shkak të sigurisë.
Këto deklarata kryeministri i bëri në pritjen e fundvitit për ekipet e medieve, gazetaret e gazetarët që e kanë përcjell punën e Qeverisë gjatë gjithë vitit dhe që kanë raportuar nga katër komunat në veri të vendit. Këtë takim me gazetarët Kurti e konsideroi më shumë miqësor e relakusues.
“Ky vit, krahas së qeni i suksesshëm, ka qenë edhe sfidues për të gjithë neve. Edhe për juve, edhe për neve, edhe për qytetarët e Republikës. E një falënderim i veçantë për gazetarët e terrenit, kameramanët dhe ekipet mbështetëse, të cilët kanë raportuar nga terreni edhe në situata të vështira, e veçanërisht në veri të vendit tonë. As për ne si Qeveri nuk ka qenë e lehtë, por kemi vijuar punën me angazhim maksimal për forcimin e aspektit të sigurisë, dhe kemi ecur përpara me arritje të reja, tash kur i kemi kaluar edhe 2/3-tat e mandatit qeverisës”, tha Kurti.
Kurti tha para medieve edhe për kritikat që kanë marrë gjatë viti sidomos për mosdaljen e tij para medieve.
“Ajo që shpesh e dëgjoj është “pse nuk po dilni më shpesh në intervista”. Ne po bëjmë maksimumin që të jemi të pranishëm gjithandej, edhe në studiot e juaja, atëherë kur mundemi në emisione, por puna po vijon me ritme të larta, e shpeshherë na e pamundëson diçka të tillë. Por, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam qenë shumë i interesuar gjatë këtyre edhe pak tri viteve, që sa më shumë ministrat të jenë në ballë të detyrës për fushëveprimtari të tyre, e unë si kryeministër të jem i pari i ministrave që më shumë bashkërendon sesa që zëvendëson ata”, tha Kurti.
Opozita në anën tjetër, sipas tij, ka shumë kohë të lirë, ndërsa sipas tij, edhe ata nuk po dalin edhe aq shpesh në emisione, “e mbase kjo ja vlen të studiohet se çka po bëjnë në kohën e lirë”.
“Në pritjen e vitit të kaluar, disa prej jush nuk keni qenë të pranishëm, sepse keni qenë me detyrë në veri të Ibrit. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe me gazetarët të cilët kanë raportuar prej andej”, tha Kurti, i cili shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të kolegut dhe gazetarit Arton Turkaj.
“Janë të shumta komentet satirike të tij, të cilat i kam parë e që do të na mungojnë. Do të na mungojë Artoni. Ngushëllime familjarëve të gjithë e secilit prej juve. Ngushëllime të gjithë juve, e të gjithë neve”, tha Kurti.
Viti 2024, sipas tij, do të përcjellët me të njëjtin volum të punës. “Urojmë dhe punojmë për sa më shumë suksese të reja, dhe zhvillim e progres për vendin e për qytetarët tanë. Ndërkaq, juve ju uroj punë të mbarë në misionin tuaj aq të rëndësishëm për demokracinë, informimin korrekt dhe të shpejtë”, tha ne fund kryeministri.























