Musliu: 2023 ishte shumë i rëndë për Kosovën në fushën e sigurisë
F.Sertolli / RTKlive
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës, Ganimete Musliu ka komentuar zhvillimet e sigurisë në vend përgjatë vitit 2023, duke thënë se ky vit ishte shumë i rëndë për Kosovën.
E ftuar në “Lajmet e Fundit” në RTK, Musliu tha se situata e sigurisë në vend nuk është vetëm e brishtë, por edhe e tensionuar. Musliu po ashtu tha se të gjitha informatat që vijnë nga kushdo sa i përket cenimit të sigurisë, duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh dhe me kujdes të shtuar.
“Deklaratat e krerëve shtetëror në fund vit nuk kanë qenë fort të mira madje ato kanë qenë shqetësuese, edhe përkundër që kanë rënë ndesh me veprimet e tyre”, tha Musliu.
Sipas saj, problemet e sigurisë në Kosovë janë shumë dimensionale, nuk bëhet fjalë vetëm për çështje territoriale.
“Komplet energjinë sa i përket çështjes së sigurisë po e merr çështja e veriut të vendit”, tha Musliu, duke shtuar se siguria e Kosovës po cenohet nga bandat serbe të cilat po trajnohen në Serbi.
“Ne kemi paralajmëruar qysh në prill të 2023 që vendi ynë rrezikohet nga bandat të cilat po trajnohen në territorin e Serbisë, siç është Rashka, dhe kemi zbuluar edhe më shumë detaje se sa është dashur në mënyrë që mos të na zënë në befasi sikurse tek rasti i Banjskës”, ka thënë Musliu, duke shtuar se shteti i Kosovës nuk duhet t’i neglizhojë informatat ngado që vijnë, sa i përket cenimit të sigurisë.
“Të gjitha informatat që vijnë sa i përket cenimit të sigurisë duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh dhe me kujdes të shtuar”, tha Musliu.























